Visar Zhiti dhe gjyqi i New York-ut
Të hënën me 18 shkurt, në Royal Regency Hotel, Yonkers- NY, shoqata Albanian-American Freedom House organizoi ballafaqimin, që ajo e paralajmëroi si “Visar Zhiti-Gjyqi i New Yorkut”. Pas promovimeve të mëparshme të librit “Grabiani Rrëzë kodrave” i Leka Tasit si dhe organizimit të asaj që u cilësua si “Seanca e parë e Gjyqit të Washingtonit”, ku Bedri Blloshmi pat denoncuar krimet e komunizmit përmes librit-Dosje “Fabrikimi i vdekjes”, organizatorët këtë radhë kishin zgjedhur një nga shkrimtarët më të shquar , mjeshtrin e penës dhe njeriun që njohu nga afër vuajtjet e ferrit të hetuesisë dhe burgjeve,fituesin e çmimit të madhe të Letërsisë shqipe për vitin 2011, Visar Zhitin dhe dy librat e tij “Ferri i Çarë” dhe “Rrugët e Ferrit”. Takimin e moderoi Hasan Kostreci, i cili pasi i uroi mirëseardhjen shkrimtarit Zhiti dhe pjesëmarrësve, që kishin udhëtuar nga shtete të ndryshme të Amerikës, i ftoi të pranishmit, që të përcillnin së bashku Hymnet kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë. Më pas, ai ka prezantuar shkrimtarin Visar Zhiti, jetën dhe veprën e tij letrare, si dhe çmimet ndërkombëtare dhe Kombëtare me të cilat është nderuar vepra e tij.
Kostreci ftoi Zef Balën, sponsor të vizitës së tij, i cili i uroi mirëseardhjen shkrimtarit Visar Zhiti. Duke iu drejtuar shkrimtarit me fjalë mirëseardheje, Balaj tha se është mrekulli që keni dalë me mendje të kthjellët nga ferri dhe na sollët veprat e bukura letrare, veçanërisht dy librat që promovojmë sot “Ferri i Çarë” dhe ‘Rrugët e Ferrit”. Mërgim Korça, publicist, studiues, u shpreh se e quan veten krenar që paraqet krijimtarinë e Visar Zhitit dhe se diskuton një temë, e cila është aq e rëndësishme, dhe se do të jetë një mur ndarës mes letërsisë të ashtu quajtur të Realizmit Socialist dhe Letërsisë së vërtetë të pas rënies së diktaturës, apo të atyre, si Visar Zhiti, që u dënuan për krijimtarinë letrare. Sot, tha Korça, bëhet Gjyqi i Nju Jorkut. Natyrisht ky s’është gjyq juridik, por një gjyq social, një gjyq që e bënë shoqëria mes Letërsisë të së shkuarës, që s’ishte tjetër gjë, veç ideologjizim, propagandë, së cilës për fat të mirë, i erdhi fundi.
Vepra e Visar Zhitit dallon nga veprat e letërsisë së ndrydhur me parimet e realizmit socialist katërcipërisht. Krijimtaria e Zhitit është një mrekulli, që na bënë krenarë dhe ne që e kemi sot në këtë sallë. Visarin po e nderon Bota për krijimtarinë e tij. Me ardhjen e Shekullit të ri, në Piazza Navona, në një nga sheshet më të njohura të Romës, 13 vite të shkuara, në festimet e mëdha në Itali, janë vënë vargjet e Visar Zhitit në një pllakatë të madhe. Rëdësi merr ky fakt se në ceremonitë e fillimshekulli,në të njëtën kohë, po në Romë, në Piazza Terminie, ishin vënë vargjet e Gëtes. Duke iu drejtuar sallës, Korça tha: Shikoni, pra se çfarë vlerësimi i kanë bërë poetit tonë me gjigandin Gëte! Kjo na bënë krenarë si shqiptarë. Unë ndjehem sinqerisht i prekur që kemi nderin ta kemi mes nesh poetin dhe shkrimtarin e shquar, Visar Zhiti, tha Korça. Për vlerësimin e veprës së Visar Zhitit, z. Korça solli dhe artikuj e vlerësime nga shtypi i huaj. Me 21 Dhjetor të vitit të shkuar në Corriere Della Sera, gazeta më e madhe italiane, Visari është quajtur poeti gladiator, dhe në vazhdim janë vënë vlerësime të shkëlqyera. Grasso, e cilëson, muzikant të fjalës , kalorës i varrit të shenjtë, mjek i shpirtrave, zemër parandijuese dhe poet ëngjëll…Pikërisht këtë poet ëngjjëll kemi nderin sonte ta kemi këtu mes nesh, tha z. Korça. Po ashtu ai solli edhe vlerësimet e “La Vocce” në Romë, ku me 29 janar 2013 është shkruar një shkrim nga Davide Brulo,i cili thotë se Visar Zhiti nxjerr përshkëndijme drite që nga errësira e thellë, është artisti që i hedh dritë çnjerzimit njerëzor, roje në pragun e natës së errët... Visari, shkruan ai, është i kalibrit të Shallamovit, i karahasuar me nobelistin Aleksandr Isayevich Solzhenitsyn. Duke hapur atë që u paralajmërua si Gjyqi i Nju Jorkut, Korça iu drejtua sallës: Unë pyes; Sa janë shkrimtarët e Realizimit Socialist, të mëdhejtë e kam fjalën, që propaganda i bëri të mëdhenj, sa do të donin ata që t’i kishin vuajtjet e Visarit,t’i kishin provuar në kurriz, si ndjehen ata nga këto vlerësime për Visarin. Pyetja e tij shkoi më tej: A i keni dëgjuar këta shkrimtarë të mëdhenj të Partisë, kur thonë se na janë dhe disidentë? Kjo, argumentoi ai, e bënë të domosdoshëm gjyqin në mes Letërsisë së Visar Zhitit dhe Letërsisë të atyre që ishin zëdhënës të Partisë.Prandaj duhet bërë ballafaqimi paralel mes veprës së Visarit dhe asaj të Letërsisë së djeshme, që nuk ishte realiste. “Ferrin e çarë” po e përkthej në gjuhën italiane, njoftoi Korça. Le të mësojë bota se çfarë niveli kanë shkrimtarët e kalibrit të Visarit. Ata të djeshmit po i mbledhin veprat dhe po i retushojnë, tha Korça. Më pas folësi kryesor i këtij ballafaqimi, citoi akt-ekspertizën e Ramazan Vozgës dhe Pandeli Koçit, të cilët ishin parapërgatitës të Dosjes hetimore të Visar Zhitit, e cila nga reçensë u kthye në aktekspertizë, nënkupto aktakuzë. Ata hartuan me xhelozinë e tyre profesionale, me ambicjen e njeriut të paaftë, dosjen që e mori hetuesia dhe e dënoi Visarin me 10 vite burg.Çfarë shkruajnë ata? Citoj: “Edhe pas Plenumit të IV të KQ, Visar Zhiti është bartës idesh të gabuara politike dhe dhe konceptesh dekadente. Ky pseudo poet mbjellë barëra helmues në kopshtin e pastër letrar, si element armik që është”. Ky gjyq duhet bërë edhe për faktin se ne e patëm shpallë tradhtar Patër Gjergj Fishtën, ne dënuam me harresë Lasgush Poradecin, ne bëmë të mëdhenj ata që i shërbyen regjimit komunist, argumentoi Korça në ‘seancat” e gjyqit të New Yorkut. Me këtë frymë vazhdoi ballafaqimi që i bëri veprës së Visar Zhitit, nga njëra anë, dhe Letërsisë së Realizmit Socialist, nga ana tjetër, studiuesi Mërgim Korça. Mustafa Xhepa perifrazoi fjalët e presidentit Bush në Riga dhe akuzoi shoqërinë shqiptare që nuk e ka kryer dënimin e krimeve të komunizmit.Ai solli statistika të detajuara për të dënuarit e komunizmit, për të vdekurit pa gjyq, për të masakruarit, të pushkatuarit, të internuarit. Më pas Xhepa, u ndal në dy veprat e Visar Zhitit”Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i Çarë”, që sipas tij sjellin mesazhin: Dëno krimet e Komunizmit! Ky apel bie në rezonancë edhe me Rezolutën dhe rekomandimet e këshillit të Europës, tha Xhepa. Është kërkuar nga shoqatat e të përndjekurve dënimi i krimeve të komunizmit, hartimi i ligjit të lustracionit, dekomunistizimi i shoqërisë. Dy romanet e Visar Zhitit, janë pasqyrë reale e vuajtjeve të komunizmit, tha Xhepa. Muhamet Omari, i quajti vepra monumentale dy romanet e Zhitit, testament i gjallë për brezat që vijnë për të parë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri, pasqyrë e ferrit, ku familjet tona nacionaliste vuajtën për 50 vjet.Më pas ai analizoi sistemin komunist shqiptar dhe krimet e tij. Ilir Spata, bashkëstudent me Visarin në Institutin e Shkodrës, recitoi poezinë ”Shokut të prangave”. Duke marrë fjalën Visar Zhiti, tha se ky është një takim i jashtëzakonshëm, është si një ëndërr, që nuk guxonim as ta ëndërronim; kam këtu bashkëvuajtës, që nuk mendonim as se do të dilnim të gjallë nga ferri, e jo më ta ëndërronim që të takoheshim sot këtu. Zhiti falenderoi ata që ia mundësuan këtë takim, Mustafa Xhepën si president i Shtëpisë së Lirisë, Zef Balën, që sponsorizoi udhëtimin, folësit, Mërgim Korçën, Hasan Kostrecin, Muhamet Omarin dhe Ilir Spatën, të gjithë ata që kishin ardhë në këtë aktivitet promovues. Visari tha se: Në gjyqin e Nju Jorkut unë erdha me shumë qejf, në të parin shkova me urdhër, me zor, në të dytin, me dëshirë, në të parin për të vdekur , në të dytin, për t’u ringjallur së bashku. Më pas shkrimtari Visar Zhiti përcolli esenë “ Kujtesa dhe Liria- Rikthim tek Virtytet, - Duke dalë nga Burgologjia mes dy statujave amerikane”.
Në këtë veprimtari mori pjesë edhe kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj me zonjën, edhe zv.kryetari Agim Rexhaj dhe dhjetëra vatranë.
Vatra, metafora e kombit!/Shkrimtari i njohur shqiptar, fitues i Çmimit të Madh për Letërsinë për vitin 2011,i dekoruar nga presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” (2012), poeti disident, që u dënua në burgjet e diktaturës komuniste për poezi, përshkruesi mjeshtëror i ferrit dantesk të burgjeve shqiptare, të shtunën me 16 shkurt 2013, vizitoi Shtëpinë e Vatrës. Shkrimtari Zhiti u prit nga kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili i uroi mirësardhjen. Dr. Buçaj, duke iu drejtuar mysafirit të nderuar, tha se ishte kënaqësi, që Vatra priste në shtëpinë e saj, shkrimtarin më të shquar të Letërsisë Shqiptare të pas diktaturës. Në zyrën e kryetarit të Vatrës, Shkrimtari Zhiti, shoqërohej nga bashkvuajtësit e tij, Dine Dine, Lek Mirakaj, Esat Çoku, si dhe z. Zef Balaj, sponsor i udhëtimit. Kishte ardhur në këtë takim edhe këngëtarja Ermira Babliu, e cila ishte e ftuar edhe në festën e Pavarësisë që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare në New York. Shkrimtari Zhiti i dhuroi Vatrës, Dekleratën e Firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor 1912, atë të pacensuruar nga diktatura, me shënimin”Në shenjë respekti nga Fototeka Kombëtare”Marubi” Shkodër, si dhe Librin e tij studimor” Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e Dënuar” me autograf”- Vatrës tonë Patriotike”-nga Visar Zhiti. Për bibliotekën e Vatrës shkrimtari Visar Zhiti dhuroi edhe librin”Ndarja” me autor Viktor Marko Solomon. Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i dhuroi shkrimtarit Zhiti, “Rubairat” e Omar Khajam, përkthimi original i Fan SNolit , botuar në Bruksel më 1927. Editori i Diellit, Dalip Greca, i prezantoi shkrimtarit Zhiti, ekzemplarë të dokumenteve origjinalë të Federatës Vatra, si dhe fotografi të rralla, që nga viti 1912 si dhe gjurmët e dokumentuara të Shoqërisë Besa-Besën, që nga viti 1908.
Më pas në sallën e mbledhjeve u organizua një takim i Këshillit të Vatrës me shkrimtarin. Dr. Buçaj, i prezantoi shkrimtarit historinë e Federatës Vatra, u ndal në veprimtaritë e viteve të fundit, veçanërisht në festimet e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës dhe veprimtarive për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në drejtimin e Vatrës dhe 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si dhe prezantoi veprimtaritë organizative për të ardhmen, përfshi dhe Kuvendin e Vatrës, si dhe u ndal në qëndrimet kritike të Vatrës për mosdënimin institucional të krimeve të diktaturës komuniste, integrimin e të përndjekurve politik, Ligjin e Lustracionit etj. Në fjalën e tij, shkrimtari Visar Zhiti, tha se ndjehej irespektuar dhe shumë i prekur nga mikpritja e Vatrës, aq më shumë që këtu e shoqëronin edhe bashkëvujtësit e tij në Ferrin e burgjeve të diktaturës, personazhet e romaneve të tij “Ferri i carë” dhe “Rrugët e ferrit”. Nuk mund ta çonim as nëëndërr se një ditë ne të dënuarit politik, do të dilnim nga ferrit dhe aq më shumë se do të ishim këtu në Amerikë! As kush nuk e fantazonte këtë ëndërr. Vatra jonë patriotike, tha ai, ka meritën se naka mësuar si ta duam Atdheun, Kombin. Burrat e mëdhenj që e themeluan, Faik Konica dhe Fan S Noli, mbeten aktualë edhe në ditët e sotme sepse, sa të kundërt, ata ishin po aq dhe bashkëpunëtorë. Vatranët na mësuan se Kombi bëhet me mendje, siç na kishin mësuar edhe Patër Gjergj Fishta, Naim Frashëri dhe korifejtë e tjetër të Kulturës Kombëtare. Vatra, është metaforëe bukur, qëna kujton Atdheun, mbetet një mbrojtëse e vlerave tona Kombëtare.Kjo nuk është fjalë rasti, por fjalë zemre.Ju uroj shëndet, vazhdimësi në punët e Vatrës, kolegut Ramiz Gjini sukses me penë, këngëtares Ermira Babaliu me këngë dhe të gjithëve u dëshiroj mirësi. Poetit i uroi mirëseardhjen edhe shkrimtari Ramiz Gjini, i cili vlerësoi penën e shkrimtarit Zhiti, qëndresën e tij përballë diktaturës si dhe kontributin që po jep në letërsi. Po ashtu edhe anëtari i Këshillit të Vatrës, z. Zef Balaj, sponsor i udhëtimit të Zhitit, i uroi atij mirëseardhjen dhe suksese në krijimtari. Vasil Marku, duke e përgëzuar për krijimtarinë, i kërkoi shkrimtarit që të japë kontributin e vet, sidomos në “ç’burgosjen e gegërishtes” dhe rikthimin e strukturave foljore, morfologjike e sintaksore të përjashtuara me Kongres Partie (Drejtshkrimi).Më pas një gotë raki dhe shumë urime për shkrimtarin.