Berisha: HEC-et, fronte të reja punësimi – Shqipëria, eksportuese e madhe energjie
Ndërtimi i HEC-ve, në të gjithë territorin
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratuan ndër të tjera, një seri vendimesh për përcaktimin e autoritetit kontraktues dhe dhënien me koncesion të disa HEC-ve në mbarë vendin. Kryeministri u shpreh në lidhje me vendimet se ato i shërbejnë nismës për Shqipërinë, superfuqi energjetike në rajon, e cila po njeh zhvillime të shpejta, më shumë se ne çdo vend tjetër. Kryeministri theksoi se HEC-et do ta shndërrojnë Shqipërinë në eksportues kryesor të energjisë së rinovueshme në rajon dhe do të bëjnë që tregu shqiptar të ketë për burim energjie, energjinë ujore, e cila ka koston më të lirë, duke bërë të mundur që shqiptarët të mos njohin çmimet tejet të larta, që njohin vende të tjera.
Duke ritheksuar politika e qeverisë ka si qëllim kryesor punësimin e qytetarëve shqiptarë, kryeministri u shpreh se ndërtimi i këtyre HEC-ve është gjithashtu edhe krijimi i fronteve të reja të punës në mbarë vendin.
“Sot, ne miratojmë një seri vendimesh për përcaktimin e autoritetit kontratues dhe dhënien me koncesion të HEC Shën Gjon, Kryezi në Pukë, HEC Bollej dhe HEC Malla të gjitha këto të propozuara nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes. Pra, vazhdon në mënyrë të pandërprerë dhe të fuqishme, gara e projektimit dhe ndërtimit të HEC-ve, në mbarë vendin. HEC-e të cilat do të shndërrojnë Shqipërinë në eksportues kryesor të energjisë së rinovueshme në rajon dhe ajo që është po kaq e rëndësishme do të bëjë që tregu shqiptar të ketë për burim energjie, energjinë ujore, e cila ka koston më të lirë dhe e cila do të bëjë të mundur që shqiptarët të mos njohin çmimet stratosferike që njohin në vende të tjera. Dhe unë dua ti informoj qytetarët e këtij vendi se në mënyrë absolute gjatë këtyre viteve të fundit ne nuk kemi pranuar asnjë rritje çmimi për konsumatorin shqiptar, përkundrazi ne kemi shpenzuar shumë nga buxheti dhe kemi kompensuar çdo detyrim që rridhte, në mënyrë që të mos lejojmë rritjen e çmimeve për qytetarin. Dora-dorës burime të reja energjetike futen në sistem dhe këto burime do të bëjnë të mundur përballimin e nevojave të vendit me prodhimin e energjisë. Shqipëria mbulon në mesatare, jo më shumë se dy të tretat (2/3) e nevojave të saj të rritura. Por ndërtimi i këtyre HEC-ve është gjithashtu krijimi i fronteve të punës në mbarë vendin. E tërë politika jonë ka si qëllim kryesor punësimin e qytetarëve shqiptar. E theksoj edhe njëherë , ne jemi një vend që kemi një papunësi prej 13, disa për qind dhe kjo është shqetësues, por nga na tjetër jemi i vetmi vend në rajon që nuk ka pasur rritje të papunësisë dhe kjo për faktin e thjeshtë se kemi pasur rritje ekonomike 4 herë mbi mesataren e rritjes ekonomike të rajonit. Cilido që dëshiron le të klikojë në statistikat e papunësisë në vendet përreth. Do të gjejnë shifra zyrtare të papunësisë prej 32 për qind siç është Maqedonia, 26 për qind siç është Greqia, 23 për qind Serbia, 21 për qind Kroacia, apo Spanja me mbi 20 për qind. Kurse Shqipëria nuk ka pasur rritje të papunësisë ndonëse Shqipëria për shkak të procesit të urbanizmit, të kalimit të madh të krahut të punës nga fshati në qytet, përballet me një presion të madh. Megjithatë rritja e numrit të investimeve private e të huaja, investimeve publike, ka çuar në krijimin e qindra, mijëra vendeve pune dhe ka bërë të mundur që papunësia të mos rritet. Natyrisht të flasësh për 1 milion të papunë, nën një vend që në të gjithë statistikën, zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare ka gjithsej 1 milion e 40 mijë vetë forcën punëtore, do të thotë të jesh ftohur në të gjitha anët. Kjo do të thotë se jeton në një botë personale, pa u shprehur më tutje”, u shpreh kryeministri.