Dorëzimi i detyrës në SHISH zgjati pak minuta. Lika mbërriti menjëherë pas dekretit presidencial
Diku nga mesdita në zyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, në periferi të Tiranës, korrieri presidencial dorëzoi një zarf të dyllosur: ishte një dekret i firmosur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Pak rreshta. Në fillim citohej baza ligjore, nenet 92 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligji i ndryshuar për SHIK, sot SHISH dhe pasonte një nga vendimet më të rëndësishme që Nishani do të ketë mundësi të marrë në pesë vitet e mandatit të tij. Dhe me siguri absolute, do të shënojë mandatin e tij në pesë vjet. Me propozim të kryeministrit liroj nga detyra drejtorin e SHISH, zotin Bahri Shaqiri dhe emëroj në këtë detyrë Visho Ajazi Likën.
42- vjeçari Bahri Shaqiri, njeriu që më shumë se shtatë vjet mbante këtë detyrë, e hapi vetë zarfin presidencial. Askush nuk e di se çfarë ka menduar njeriu i sekreteve në ato momente. Telefoni i tij i rezervuar nuk i është përgjigjur asnjërës prej thirrjeve këmbëngulëse për disa orë, sa kohë që ndodhej me pasardhësin e tij. Përjashtim bëjnë vetëm disa telefonata të realizuara jo në gjuhën shqipe. E sigurt është që pak kohë pas mbërritjes fizike të dekretit të SHISH, në rendin e pak minutave, në zyrën e tij mbërriti pasardhësi i tij në detyrë. Ish zëvendësi i Genc Pollos, në ministrinë me emër të gjatë dixhital dhe vetëm me një duzinë punonjësish, përfshi edhe shoferët, u takuan në një rreth të ngushtë njerëzish me Shaqirin.
Shaqiri vetë pohon: Po, u takuam në mënyrë normale. Dorëzova detyrën sipas ligjit dhe u largova. Kisha planifikuar të largohesha me pushime dhe e bëra një gjë të tillë mbasi përfundova detyrimin e fundit institucional, thotë ai me zë të qetë.
Dhe mohon me të njëjtin ton të ketë pasur dijeni apo sinjal për atë çfarë ndodhi. Nuk dija që do kishte një dekret të tillë sot, thotë jurisprudenti enigmatik, i cili më pas konfirmon se rreth orës 16.30 vazhdoi programin që kishte parashikuar: largimin për pushime.
*Marrë me shkurtime nga JAVA