E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vit perfekt

Lionel Messi e bëri përsëri. Pasi Pedro e dërgoi ndeshjen finale të Kampionatit botëror të klubeve në vazhdime me golin e barazimit në minutën e 89, ylli argjentinas u gjend në momentin e duhur në kohën e duhur duke mposhtur bashkëkombësit e tij të Estudiantes dhe siguroi titullin e gjashtë për gjigantin katalan në një vit të mrekullueshëm për ta.

“Jam shumë i lumtur. Kemi përfunduar një vit historik, një vit perfekt në të cilin kemi fituar çdo garë ku kemi qenë pjesë e saj. Ne është dashur ta bëjmë këtë hap të fundit dhe gjithçka funksionoi ashtu si duhet dhe si deshëm. Është e jashtëzakonshme. Është vështirë të përshkruhet me fjalë”, tha Messi gjatë një interviste me ueb faqen zyrtare të FIFA-s.

Barcelona ishte në disavantazh prej 1-0 deri në minutën e 89 të ndeshjes, kur zëvendësuesi Pedro e barazoi rezultatin. Messi ka theksuar se ekipi në asnjë moment nuk kishte humbur besimin.

“Kishim besim në vetvete. E kemi ditur se duhet të vazhdojmë me lojën tonë dhe në fund funksionoi mirë. Goli ynë u shënua vonë, por mendoj se kemi luajtur mirë dhe kemi pasur raste për shënim edhe më herët. E di se kemi qenë vetëm dy minuta larg humbjes, por mendoj se rezultati përfundimtar ishte i drejtë”, shtoi ai.

Messi nuk ishte në gjendje të thotë se ekipi aktual i Barcelonës është më i miri i të gjitha kohërave, por insistoi se sa u përket titujve, askush nuk ka arritur atë që kanë bërë këta – gjashtë tituj brenda një sezoni.

“Nëse flisni për të gjithë titujt, atëherë nuk ka asnjë ekip që ka arritur atë që kemi bërë ne këtë vit. Nuk është përgjigje e lehtë ta them tani. Jemi të lumtur që kemi krijuar histori, por do të mundohemi t’i fitojmë të gjitha edhe vitin e ardhshëm”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›