E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina në fron

Sigal Prishtina është shpallur kampion vjeshtor i TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll. Edhe këtë gjysmë sezoni, bardhekaltrit konfirmuan se janë ekipi më i mirë në Kosovë.

Kampionët në fuqi, të shtunën mbrëma e mposhtën bindshëm Dritën me rezultat 129:71, për ta ‘gozhduar’ pozitën e parë dhe për të dimëruar në krye të tabelës. Gjatë 14 xhirove të zhvilluara, kryeqytetasit ishin pothuajse perfekt, duke shënuar 13 fitore dhe duke pësuar vetëm një humbje, atë të xhiros së parafundit nga Trepça në Mitrovicë. Prishtinasit grumbulluan 27 pikë, një më pak se maksimumi i mundshëm, 28. Madje, ata arritën rekord duke fituar në 12 ndeshjet e para të sezonit.

Prapa tyre gjenden dy kërcënueset Big Brother Bashkimi dhe Trepça. Mitrovicasit u këndellën pas konsolidimit të kryesisë, duke i mposhtur dy ekipet kryeqytetase, së pari Sigal Prishtinën, e të shtunën edhe Kolegjin EuroSport.

Të dielën, Big Brother Bashkimi fitoi në Mitrovicë kundër Bambit dhe, së bashku me Trepçën, e përfundon sezonin vjeshtor me pikë të njëjta. Kurse, befasia e xhiros së fundit ishte humbja e Pejës në Vushtrri nga Kosova.

TechnoMarket Superliga – Xhiroja 14

Sigal Prishtina – Drita 129:71
Kolegji EuroSport – Trepça 63:86
Kosova – Peja 72:68
Bambi – BB Bashkimi 69:74

Tabela
1. S. Prishtina 14 27
2. BB. Bashkimi 14 25
3. Trepça 14 25
4. Peja 14 21
5. Kosova 14 19
6. Bambi 14 17
7. K. EuroSport 14 17
8. Drita 14 17

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›