Arsenal nuk shet

Dy javë më parë, Nicklas Bendtner e kishte lansuar alarmin e parë të pakënaqësisë së tij.
“Nëse vazhdoj të qëndroj në bankinë, do të jem i detyruar të largohem nga Arsenal”. Fjalë të forta, të cilat pasuan me interesimin e shumë skuadrave për shërbimet e tij. Situata e tij aktuale tek klubi londinez nuk është gjithaq e mirë.
Në 24 orët e fundit, mediat e gjithë Evropës kanë shkruar për një Arsenal të gatshëm për ta ofruar sulmuesin danez si huazim me mundësi shitjeje definitive te Lazio.
Mirëpo, menaxheri Arsene Wenger mendon ndryshe. Për të e ardhmja e sulmuesit shtatgjatë tashmë është e zgjidhur. “Asnjë lojtar nuk do të largohet në janar. Jemi i vetmi klub anglez që jemi ende në luftë për katër trofe, kështu që kemi nevojë për elemente valide në skuadër”, tha trajneri francez.
Këto fjalë e mbyllin çdo dyshim rreth së ardhmes së lojtarëve nga Emirates, përfshirë këtu edhe Bendtner. Mirëpo, afatet kalimtare gjithmonë janë të paparashikueshme dhe çdo gjë mund të ndodh.