Viti i Ri, këshillat për të mos qarë

Efektivat e Policisë së Shtetit sigurojnë se do të jenë në gatishmëri të plotë për të garantuar rend dhe siguri gjatë ditëve festive.
Ndërkohë, për të kaluar një festë të qetë dhe pa probleme, Policia e Shtetit jep disa këshilla për të gjithë ata që do të qëndrojnë në shtëpi apo në restorante, pa harruar as të pasionuarit pas fishekzjarrëve apo të dashuruarit e shpejtësive.
Kështu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve që t'i paraprijnë dëmtimit të tyre dhe banesave nga keqbërësit. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit siguron se do të jetë në gatishmëri të plotë për të garantuar rend dhe siguri gjatë ditëve festive.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shprehet se janë hartuar një plan masash për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë ditëve të festimit të Vitit të Ri. Përmes këtij plani janë përcaktuar detyra për gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, me qëllim krijimin e kushteve optimale për festat e fundvitit, parandalimin e ngjarjeve kriminale apo rasteve aksidentale të dëmtimit të shëndetit e të jetës së komunitetit.
“Detyra të veçanta janë përcaktuar për mbajtjen nën kontroll të elementëve me precedent kriminal, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e shpejtë dhe në kohë të ngjarjeve kriminale. Po ashtu është kërkuar dhe realizimi i analizave të shpejta dhe vlerësimi i informacioneve për konflikte të mundshme dhe si rezultat i ardhjes së emigrantëve, duke marrë masa me karakter parandalues”, shpjegon Policia e Shtetit.
Sipas tyre, do të përforcohen edhe shërbimet policore për ruajtjen e sigurimin e objekteve të rëndësishme shtetërore, publike e private.
Ndërsa me qëllim planifikimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, do të bashkëpunohet me autoritetet vendore për t’u njohur me programet apo aktivitetet e festimeve që do të zhvillohen gjatë fundvitit. “Ndërkohë, masa të veçanta do të ndërmerren për parandalimin e përdorimit të fishekzjarrëve të rrezikshëm në netët e festave”, deklaruan burimet për gjithë të pasionuarit. Krahas masave nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë në Qarqe, punonjësit e Doganave, si dhe struktura të tjera, po punohet me qëllim bllokimin e hyrjes në Shqipëri të fishekzjarrëve të rrezikshëm për jetën. Ndër të gjitha këto masa, nuk janë harruar edhe shërbimet e policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen nën kontroll të trafikut.
Me urdhër të veçantë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, këto shërbime janë shtuar dhe në turnin e natës, ku është planifikuar edhe organizimi i shërbimeve për mbikëqyrjen e rregullimin e trafikut edhe pas orës 24:00 të datës 31 dhjetor.
Ndërsa për sigurimin e ndihmës për shtetasit në nevojë, Drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe Komisariatet e Policisë janë porositur të marrin masa për afishimin në vende të dukshme të numrave telefonikë të shërbimeve të sallave operative.
Këshillat që jep policia
Numri 129 nga çdo lloj telefoni, fiks apo celular, si çdo ditë për çdo problem dhe ngjarje do të jetë në dispozicionin tuaj.
Në të gjithë vendin do të ketë patrulla policie që do të përpiqen të parandalojnë incidentet e rënda, si dhe shkeljet flagrante dhe të rrezikshme të qarkullimit.
Të pasionuarit pas fishekzjarrëve këshillohen të mbajnë larg fëmijët gjatë shpërthimeve.
Të zbatohen të gjitha këshillat dhe rekomandimet për shpërthime fishekzjarrësh.
Për ata që ditët e festave të fundvitit nuk do t'i kalojnë në shtëpi, këshillohet të lënë ndonjë dritë ndezur, radion apo televizorin.
Mos tregoni se do të festoni jashtë shtëpisë, apo orën e kthimit.
Sigurohuni që e keni mbyllur derën dhe çelësat të mos lihen në vende të njohura nga të gjithë.
Mos lini mesazhe mbi derë, kjo tregon që në shtëpi s'ka njeri.
Nëse keni bizhuteri me vlerë të madhe dhe do t'i lini në shtëpi, fotografojini, kjo mund të lehtësojë kërkimet në rast vjedhjeje.
Lajmëroni fqinjët që nëse dëgjojnë zhurma të dyshimta në apartamentin tuaj, të lajmërojnë në numrin 129.
Nëse ktheheni shpejt në shtëpi dhe e gjeni portën të hapur, apo të mbyllur nga brenda, apo dëgjoni zhurma, mos hyni, kjo mund të shkaktojë reagimin e menjëhershëm dhe instiktiv të hajdutit, që mund të ketë pasoja të rënda. Thjesht njoftoni menjëherë 129-ën.
Mos harroni të kontrolloni gjendjen e makinës para se të udhëtoni, sidomos sistemin e drejtimit dhe të frenimit.
Policia e qarkullimit rrugor ka marrë të gjitha masat për të pasur nën kontroll qarkullimin dhe për t'ju ndihmuar në lëvizje.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code