Viti i Ri, në maternitetin e Shkodrës vijnë në jetë 4 bebe
SHKODëR- Katër foshnje, tre të seksit femra dhe një i seksit mashkull, kanë ardhur në jetë në orët e para të Vitit të Ri 2010 në maternitetin e Shkodrës. Ky numër lindjesh në këto orë të para të Vitit të Ri është vlerësuar e kënaqshme nga mjekët, krahasuar me një vit më parë, kur ky numër lindjesh u regjistrua në dy ditë. Lindja e parë për vitin 2010 në rrethin e Shkodrës u regjistrua një orë e dhjetë minuta pas trokiti 2010-a. 20 vjeçare Florina Zojzi, banore e lagjes “Skenderbeg” të qytetit të Shkodrës, ka sjellë në jetë një vajzë 3 kg e 400 gram. Tre orë e pesë minuta më pas ka ardhur në jetë sërish një foshnje e seksit femër. Nëna 22 vjeçare Valmira Bercaj, banore e fshatit “Shtoj i Ri”, ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, një vajzë me peshë 3 kg. e 50 gr. Sipas mjekëve të maternitetit të Shkodrës bebja e seksit mashkull erdhi në jetë në orën 10.00 të ditës së sotme. Nëna e tij është 25 vjeçarja Violeta Gjergji. Më pas, sipas mjekëve, është regjistruar dhe lindja e katërt, një bebe e seksit femër, me peshë 3 kg. e 450 gr. Të porsalindurit janë vizituar në mjediset e spitalit nga drejtuesit e qeverisjes lokale, të cilët të shoqëruar nga drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër Namik Kamberi u kanë dhuruar nënave dhe fëmijëve të porsalindur tufa me lule. (d.b/BalkanWeb)