Viti i Ri, plehrat pushtojne kryeqytetin
Tri dite pas nates se madhe, Tirana ende fle. E rrethuar nga masive plehrash, metropoli shqiptar ngjan me shume me nje kazan te madh mbeturinash, sesa me nje Tirane te bukur, evropiane, apo franceze, nga ku pritet te huazohet modeli per planin rregullues. Sepse ne fakt, nuk te duhet aspak qe te kalosh neper periferi per t'u perballur me masivet e plehrave. Ato mund t'i gjesh ngado: Ne qender te Tiranes, ne rrugen e Durresit, te "Myslym Shyri", gjer edhe te ish-Blloku. Njerezit nuk duken aspak te bezdisur prej tyre. Nje burre fryn gomen e bicikletes fare prane nje kazani te tejmbushur me mbeturina, nje tjetri i kane zene deren e shtepise keto te fundit, ndersa para qepenave te dyqaneve, ende te pahapur per kete vit, qendrojne thase me lloj-lloj plehrash, pasoja te nje feste teper aktive. Disa kalimtare rrudhin buzet tek-tuk, te tjere mbyllin hundet per shkak te eres se pakendshme qe shkaktojne ato, ndersa nje pjese tjeter zgjedh te kaloje me shpejtesi, ne menyre qe te mos i bjere te fiket.
Me te lumturit perballe kesaj gjendjeje monstruoze jane qente. Festa per ta sapo ka filluar. I kane te gjitha, qe nga embelsirat e llojllojshme, kockat e tyre te preferuara, berxollat, e c'te duan. Kane aq shume ushqim per te ngrene (dhe pa u lodhur fare qe ta sigurojne), sa me siguri do te donin te kishin me shume se nje stomak. Nese Bashkia e Tiranes nuk do te ndermarre nje aksion te shpejte per zhdukjen e plehrave nga rruget e Tiranes, atehere kafshet do te kene c'te hane per nje kohe te gjate. Teksa gjendesh perballe nje gjendjeje te tille, vetiu te lind nje pyetje e natyrshme: Kaq te varfer qenkan shqiptaret sa te hane vetem per festa, apo kazanet e plehrave ne Tirane nuk qenkan te mjaftueshem? Sepse ne fakt, ambalazhet e fishekzjarreve zene nje vend shume te vogel ne morine e kazaneve. Pjesa derrmuese e tyre eshte mbuluar nga shishet e birres boshe, nga qeset me ushqime gjysme konsumuara, apo nga kockat e gjelit te detit.
Te lodhur per te gjetur kazanet e duhur, qytetaret kane zgjedhur t'i hedhin mbeturinat e tyre ne kazanet e vegjel, te vendosur ndane rrugeve per te hedhur shume-shume ndonje qese patatinash, nje bisht cigareje te fikur, apo ndonje bilete autobusi, pasi ke bere nje xhiro me autobuset e ftohte te Unazes. E kur keto minikazane jane mbushur plot e perplot me hedhurina, qytetaret nuk e kane vrare shume mendjen, por i kane hedhur pasojat e nje nate te cmendur perreth. E pra, m'u ne zemer te Tiranes gjen gjithcka qe nuk duhet, dhe mungon gjithcka duhej te ishte prezent: Pastertia....
Qytetaret, kultura e munguar e kazaneve
"Festa filloi. Hani, pini dhe hidhni c'te doni dhe per me teper, ku te doni". Vec ne pacin zbatuar kete lajtmotiv qytetaret, do te shpjegohej pamja e Tiranes se dites se djeshme. Kaosi dhe era e pakendshme e plehrave fillon qe ne ambientet prane Institutit te Fizkultures. Nje floktore qe ndodhet aty prane, duket se ka zgjedhur vetem te zbukuroje klientet bionde, brune, kacurrelse a flokepresh, sepse m'u prane deres se saj gjenden tre qese te zeza, plot e perplot me hedhurina qe mbajne nje ere te tmerrshme. Pak metra me tutje, ne katin e pare te nje pallati luksoz, kane plasur ujerat e zeza. Sa duket, banoret e kesaj godine, e kane kursyer veten qe te shkojne deri te kazanet, dhe kane zgjedhur qe plehrat t'i hedhin nga katet e mesiperme. Te bashkuara me ujerat e zeza, ato mbajne nje ere te qelbur, e cila do te mund te perballohej vetem me kundergaz. Por, njerezve s'u ka dale ende pija, e si rezultat nuk bejne as perpjekjen me te vogel te pastrojne ambientin perreth. Madje, duket se pertojne edhe te therrasin punetoret per te normalizuar situaten. Sapo largohesh nga ky pisllek, i denje vetem per te jetuar minjte, gjendesh prane nje dyqani me qepena te mbyllur. Dyqani, i mesuar te jete i frekuentuar nga njerez, nuk eshte vetem. Atij i ben shoqeri nje grumbull plehrash, i cili sa vjen e shtohet. Njerezit u mesuan aq shume me to, sa duket se nuk do t'u bejne pershtypje edhe sikur te jene te pranishme edhe ditet ne vazhdim. Madje, indiferenca e tyre te ben te mendosh se njerezit i duan plehrat.
Bashkia nuk perballoi fluksin e plehrave
Punetoret e Ndermarrjes se Pastrimit dhe Gjelberimit nuk kane mundur te perballojne dot as dje fluksin e madh te mbeturinave. Njeri prej tyre, i cili dje mblidhte disa hedhurina me nje lopate, u shpreh se me kapacitetin normal te punetoreve, gjendja eshte e paperballueshme. Vetem nese do te ishte dyfishuar numri i tyre, atehere gjendja do te ishte disi me normale. "Kam gjithe paraditen qe mbledh mbeturina, por ato duket se nuk mbarojne kurre. Me sa duket, njerezit vazhdojne t'i hedhin serish ku te munden, per inerci te festave", tha dje nje punetore, e cila po kujdesej per pastertine e bulevardit kryesor te Tiranes, "Deshmoret e Kombit". Edhe burime nga zyra e shtypit te Bashkise se Tiranes shprehen se nje gjendje e tille eshte e pritshme sa here ka festime te medha, e megjithate, duket se sivjet njerezit kane bere me shume mbeturina. Nje shkak tjeter pse ato kane qene ne masen kaq te madhe, eshte edhe blerja e elektroshtepiakeve, ambalazhet e te cilave zene nje pjese te konsiderueshme.