Viti i ri shkollor, Berisha: Sot nis gara e dijes
Kryeministri Sali Berisha nga shkolla teknologjike ka uruar sot nxënësit në të gjithë vendin me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se me nisjen e vitit të ri shkollor nis edhe gara e dijes e cila sipas tij është edhe gara më e rëndësishme për kombin.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjtihë familjet shqiptare, për të gjtihë fëmijët, nxënësit e këtij vendi që nisin vitin e ri shkollor. Fillimi i vitit të ri shkollor është edhe fillimi i garës më të bukur të njeriut, të shoqërisë, garës më të rëndësishme të kombi siç është ajo e dijes. Ndaj dhe unë ju uroj ju, të gjithë fëmijëve shqiptarë dhe në veçanti vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës suksese dhe një vit të mbarë” është shprehur kryeministri Berisha.
Më tej kryeministri Berisha ka uruar secilin prej nxënësve që ky vit të shënojë edhe një nivel të lartë dije dhe një shkallë më të lartë përgatitjeje si kusht për të ecur në projektin “Shqipëria një vend i zhvilluar”.
“Ju nisni këtë vit shkollor pasi refomat në fushën e arsimit po japin rezultate. Asnjë garë nuk është e vështirë sesa ajo e dijes por ajo përcakton suksesin e të gjitha garave të tjera” ka shtuar më tej Berisha.