Ambasadori i ri amerikan pritet të mbërrijë në Maqedoni

Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers pritet që sot të mbërrijë në vend për të nisur mandatin e ri të diplomatit të parë të SHBA-së.
Sipas njoftimit të presidencës, ambasadori Wohlers pritet që nesër t`i dorëzojë letrat kredenciale presidentit të Maqedonisë Gjeorgje Ivanov, për të nisur edhe zyrtarisht detyrën e ambasadorit amerikan në Maqedoni.
Wohlers vjen në vend të ambasadorit Philip Reeker, i cili u emërua në detyrën e zëvendës-ndihmës sekretarit të shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Nominimi i diplomatit Wohlers para një muaji kaloi edhe pranë Senatit Amerikan.
Ambasadori i ri Wohlers para komitetit për politikë të jashtme të Senatit ka shprehur prioritetet e tij si diplomat në Maqedoni për përshpejtimin e vendit në strukturat euroatlantike, forcimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai ka nënvizuar se këto janë segmentet që janë shqetësuese për SHBA-në dhe se liderët politik të këtij vendi duhet të fokusohen për prosperitet, siguri, stabilitet dhe integrimet euroatlantike. Në qendër të vëmendjes dhe mesazheve të diplomatit të parë amerikan do të jetë edhe kontesti i emrit me Greqinë dhe zgjidhja e shpejtë.
Pol Wohlers, një diplomat me karrierë disa vite më parë ka kryer detyrën e zëvendës-ambasadorit në Maqedoni.