Viti i ri shkollor, Durrës, 4 shkolla të reja

Viti i ri shkollor 2012-2013 do t`i gjejë nxënësit e rrethit të Durrësit me katër shkolla të reja, që pritet t`i japin zgjidhje mbipopullimit të klasave. Njëra prej tyre, shkolla 9-vjeçare "Bajram Curri", e cila gjendet në zonën e plazhit, ka përfunduar dhe në ditën e parë të shkollës, në 10 shtator, do të nisë mësimi në mjedise bashkëkohore.
Edhe në tre shkolla të tjera po punohet që gjithçka të jetë gati për ditën e fillimit të mësimit. drejtori i drejtorisë rajonale të arsimit në Durrës Filip Gjonçi sqaron se është në përfundim e sipër ndërtimi i tre shkollave, njëra në Fllakë me rreth 300 nxënës, shkolla e re e mesme e Kënetës e cila do të ketë fillimisht rreth 400-500 nxënës gjithashtu dhe shkolla e Xhafzotaj, shkolla 9-vjeçare
Një javë më parë pas zhvillimit të tenderit, ka nisur shembja egodinës së shkollës së mesme teknologjike "Hysen Çela", e cila tashmë do të ndërtohet e re. Nxënësit e kësaj shkolle do të kenë gati mjediset e reja për zhvillimin e praktikës mesimore, te cilat janë ndërtuar pranë godinës së shembur, ndërsa mësimi do të kryhet, ashtu si vitin e kaluar, në mjediset e shkollës së mesme "Gjergj Kastrioti".