E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, tri viktima në aksident

Makina Renault pas aksidentit të djeshëm në Shkodër

Një ngjarje tragjike tronditi qytetin e Shkodrës që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Tri viktima u regjistruan në një aksident fatal në hyrje të Shkodrës, ndërsa një vajzë mbeti e plagosur. Përplasjen tragjike e provokoi një makinë “Renault Clio”, e cila sipas Policisë drejtohej me shpejtësi nga 22-vjeçari Gezar Zaganjori. I riu humbi jetën në aksident, bashkë me dy gra që po shëtisnin buzë lumit Buna dhe makina i mori para tragjikisht. Sipas Policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 06:45 të mëngjesit. Zaganjori nën drejtimin e automjetit të tij ishte nisur nga Shkodra për në drejtim të plazhit të Velipojës. Në rrugën dalëse të qytetit, rrëzë Kalasë Rozafa, shoferi ndërsa lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka bërë një parakalim të gabuar, çka ka sjellë humbjen e kontrollit të automjetit. Për pasojë, vetura është përplasur me trotuarin në anën e djathtë të rrugës, ku në atë moment po ecnin viktimat Xhevahire Dibra, 67 vjeçe dhe Stabere Belinova, 59 vjeçe. Nga përplasja me trotuarin, mjeti ka bërë sërish një devijim në anën e kundërt, duke goditur një makinë tjetër, e cila gjithashtu po udhëtonte drejt daljes së qytetit të Shkodrës. Përplasja e parë ka qenë fatale jo vetëm për shoferin, por edhe për të dyja gratë të cilat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që 3 personat e tjerë që kanë qenë në mjetin e dytë, fatmirësisht kanë pësuar vetëm plagë të lehta, por pa rrezik për jetën. E plagosur rëndë ka mbetur edhe shtetasja Rezarta Cami, e cila ndodhej si pasagjere në automjetin e Zaganjorit. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që janë munduar t’u japin ndihmën e parë të aksidentuarve. Por, ka qenë e kotë kjo ndihmë, pasi mjekët konfirmuan vdekjen në vend të tyre. Policia rrugore, e cila ka mbërritur me shpejtësi në vend, ka filluar menjëherë hetimin e kësaj ngjarjeje tragjike. Nga hetimet e para është mësuar se zanafilla e aksidentit ka të bëjë me lëvizjen me shpejtësi tej normave të lejuara të mjetit të 21-vjeçarit. Nuk dihet ende nëse ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar në humbjen e kontrollit të makinës. Një pistë që u referohet dëshmive të disa personave që e kanë njohur nga afër drejtuesin e mjetit, është ajo se i kishte pirë alkool në një nga lokalet e qytetit të Shkodrës para se të nisej për rrugë.

Dy viktimat, kunata mes tyre
Sikurse është mësuar nga dëshmitë e familjarëve të dy viktimave Xhevahire Dibra 67 vjeçe dhe Satbere— Belinova 59 vjeçe, ato ishin kunata me njëra-tjetrën. Si çdo mëngjes kishin dalë bregut të Bunës dhe po ecnin në të duke bërë xhiron e zakonshme. Ndërkohë që 59-vjeçarja Belinova, pasi kishte blerë bukën po ecte me biçikletë për dore së bashku me kunatën e saj, në trotuarin bri rrugës nacionale. Në ato momente, ato janë përplasur tragjikisht nga makina. Si pasojë e plagëve kanë ndërruar jetë në vend.

Elbasan, makina aksidenton dy kalimtarë
Një aksident me pasojë plagosjen rëndë të dy shtetasve ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në vendin e quajtur “Ura e Zaranikës” në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur mjeti tip “Benz” me targë EL 520 A, drejtuar nga 35- vjeçari Abdulla Sejdini, ka humbur kontrollin e mjetit, e për pasojë është ngjitur në trotuar, ku edhe ka përplasur rëndë dy këmbësorët Rifat Shuli dhe Gentian Balla. Dy të plagosurit kanë pësuar lëndime fatale, i pari ka humbur një këmbë, ndërsa i dyti ka dëmtime në shtyllën kurrizore. Sipas grupit të ekspertizës në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit ka qenë mbi shpejtësinë e lejuar në këtë aks rrugor, çka solli dhe aksidentin e rëndë. Me ndihmën e mjeteve të rastit, dy të aksidentuarit janë transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku edhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, pasi gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë për jetën. Mësohet se Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit deri në përfundim të hetimeve, por paraprakisht bëhet e ditur se ai akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.                              m.s

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›