E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti jubile Policia e Shtetit kremton sot 100 vjetorin e krijimit

Policia e Shtetit shënon sot 100-vjetorin e krijimit të saj dhe në nderim të këtij jubileu u organizuan një sërë një sërë aktivitetesh. Axhenda e tyre nisi me vendosjen e kurorave me lule tek memoriali kushtuar të rënëve  në Qendrën e Formimit Policor ku kanë qënë të pranishëm ministri i brendshëm Famur Noka, drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj si dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës. Më pas aktivitetet kanë vijuar me prezantimin e një dokumentari mbi historikun dhe zhvillimet  e Policisë së Shtetit, shpërndarjen e Medaljeve të akorduara nga Ministri i Brendshëm  si dhe shpërndarjen e Certifikatave të Lavdërimit punonjësve të vlerësuar. Ndër këto aktivitete ishte një tjetër konferencë kushtuar pikërisht rolit të Policisë së  Shtetit, ku duke marrë fjalën në këtë aktivitet, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi faktin policia përmbushi me nder e dinjitet misionin. Sipas tij, Policia e Shtetit vjen sot në këtë jubile krenare për përmbushjen me nder dhe dinjitet të misionit të saj të rëndësishëm. “Dua të përulem me nderimin më të madh para qindra e qindra oficerëve, efektivave dhe punonjësve të policisë së shtetit që gjatë këtyre 100 viteve ranë për tu bërë të pavdekshëm në mbrojtje të rendit, të qetësisë, të pasurisë së qytetarëve shqiptar. Dua tu shpreh mirënjohjen më të madhe edhe familjeve të tyre” vuri në dukje Berisha. Njëkohësisht në vlerësimin e tij, shefi i qeverisë shqiptare, u ndal dhe në misionin e kryer me sukses nga ana e uniformave blu sa i takon respektimit të detyrimeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve si dhe në mabrëvajtjen e procesit zgjedhor.  Ndërsa Ministri i brendshëm Flamur Noka ka vlerësuar punën e bërë nga punonjësit e policisë në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas tij, falë punës së policisë së shtetit, Shqipëria arriti të mos cilësohet më si vend tranzit i drogave të forta dhe tashmë ka hyrë në një etapë të re në luftën kundër krimit të organizuar. “Policia e shteti sot është tërësisht e depolitizuar dhe vullneti politik mundësoi luftën me zero tolerancë ndaj krimit”, u shpreh ministri Noka.  Nga ana e tij, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj tha se policia shqiptare ka kaluar në shumë sfida gjatë kësaj periudhe duke shtuar se sot, Policia e Shtetit është një organizatë e aftë të prodhojë siguri dhe progres. “Reforma e thella, rindërtimet e vazhdueshme, mbështetja e partnerëve kanë bërë që të kemi një polici moderne dhe bashkëkohore e ndërtuar mbi bazë tërësisht profesionale”, nënvizoi Burgaj. Sipas tij, lufta ndaj krimit, korrupsionit dhe drogës vazhdon, pasi motoja jonë, shtoi ai, është tolerancë zero ndaj krimit në vend. 
 “Urdhri i flamurit kombëtar”  Presidenti, Bujar Nishani dekoroi Policinë e Shtetit me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”. Kështu në nisje të paradës së trupave elitare të Policisë së Shtetit në sheshin “Skënderbej” kreu i shtetit akordoi një titull të tillë, duke theksuar se ky 100-vjetor duhet të shërbejë si një ditë për të reflektuar mbi sfidat e së ardhmes.  “E ardhmja jonë është padyshim një e ardhme e sigurt dhe e ndritur në familjen europiane. Ndaj në cilësinë e Presidentit të Republikës kërkoj që të rrisni standardet e shërbimit dhe aftësitë profesionale në mbrojtje të jetës dhe pronës qytetare, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit shprehim nderim të thellë dhe kujtojmë sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit, institucioneve, flamurit dhe shteti. Amaneti i tyre është amaneti i kontributit ndaj shtetit dhe ligjit ”, deklaroi Presidenti Nishani.  Kreu i shtetit shprehu nderimin e tij për policët e rënë në krye të detyrës. “Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit shprehim nderim të thellë dhe kujtojmë sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit, institucioneve, flamurit dhe shteti. Amaneti i tyre është amaneti i kontributit ndaj shtetit dhe ligjit”, u shpreh presidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›