Vitore Sallaku rrëfen emocionet e cirkut në libër
Historia e cirkut shqiptar ishte libri i cili u promovua dje në Arenën e Cirkut të Metropolit i autores Vitore Sallaku ( Mjeshtre e Madhe e Punës). Ky është libri i pestë që kjo autore publikon dhe këtë herë është një libër, që i kushtohet tërësisht cirkut shqiptar. Libri fillimisht ka dalë me një tirazh prej 350 kopjesh për të vijuar me të tjera ribotime. Për të pasqyruar në mënyrë sa më realiste historikun e cirkut shqiptar autorja është bazuar në dokumentet origjinale të kohës si dhe një pjesë e mirë e informacionit bazohet në arkivën e Marubit në Shkodër. Historia e cirkut shqiptar është një volum me rreth 350 faqe.
Fillon me ecurinë e trupës së cirkut, zanafillën, zhvillimin dhe zgjerimin e saj e deri tek arritjet e viteve të fundit. Më pas një hapësirë e veçantë i është kushtuar profileve të cirkut, duke i përshkruar deri në detaje se bashku me shfaqjet dhe artistët e secilit profil. Një vëmendje të veçantë autorja i kushton trupave të cirkut, që kanë ekzistuar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë si: Cirku i Gjirokastrës, Cirku i Peshkopisë, Cirku i Patosit, Cirku i Shkodrës dhe Cirku i Vlorës. Pjesa e fundit e Historia e cirkut shqiptar i dedikohet artistëve të këtij cirku dhe arritjeve individuale të tyre. Në ceremoninë e prezantimit të Historia e cirkut shqiptar ishin të pranishëm jo vetëm figurat më në zë të cirkut sot dhe ndër vite, por edhe mjaft personalitete të artit shqiptar si dhe mbështetës dhe adhurues të artit të bukur të cirkut. Emocion Fantazi Guximky është cirku, si asnjë art tjetërCirku ka premiere çdo shfaqje. Me këto fjalë fillon Historia e cirkut shqiptar. Ndërsa vetë autorja për librin tregon se: Prej kohësh lutesha në idenë e shkrimit të këtij libri. A do të mundem ti shkruaj të gjitha?! A do mund kujtesa të japë të plotë magjinë e viteve të shkuara?! Gjithsesi guxova të shkruaj historikun e këtij arti guximtaresh. Motivet janë të shumta. Kanë kaluar kaq vjet dhe ndërsa shohim botime të ndryshme filmin, teatrin, muzikën ende mungon diçka për cirkun. Mirë do të ishte që një njeri i letrave të skaliste në rreshta atë periudhë të artë. Një brez i tërë artistësh kanë shkëlqyer. Nga kjo arenë, kanë dalë Artistë të Popullit të Merituar dhe Mjeshtra të Mëdhenj.Më tej autorja tregon se falë punës kanë ardhur dhe rezultatet e larta që kanë çuar në këtë vlerësim dhe mirënjohje. Janë vitet e lodhjes, djersës, guximit, forcës, durimit dhe sakrificës prisnin me padurim të dielën shikuesit kryeqytetas për të krijuar emocionet që falte arena e mrekullueshme. Ajo mblidhte rreth saj të gjitha moshat, sepse i tille është ky lloj arti, i preferuar dhe i dëshiruar nga të gjithë. Atëherë pse duhet që të humbasim këto ditë, muaj e vite punë, emocionesh dhe arritjesh e të mos fiksohen në një libër më se të merituar për këta artistë?! Ja pse i hyra kësaj pune shumë të vështirë, por të dëshiruar. Frymëzimi im ishte dashuria dhe artistët e rinj. Ndaj do më mirëkuptojnë e do të më falin koleget e mi të dashur dhe te respektuar, nëse kam harruar pa thënë diçka. Le të jetë një tjetër pas meje që të bëj diçka më të përsosur. Më mirë kështu se sa të harrohet gjithçka, tregon mbi jetën e artistëve shqiptarë por dhe për vitet e saj pranë cirkut artistja Vitore Sallaku. Nga të pranishmit në këtë ceremoni u vlerësua puna e të gjithë artistëve shqiptarë ndër vite, por vlerësimet nuk munguan dhe për aktivitetin e cirkut edhe gjatë kësaj kohe.