Fëmijët e shkollës Nobel gëzojnë me dhurata të moshuarit në azil
Fëmijët e shkollës 12 vjeçare jopublike Nobel gëzojnë me dhurata të ndryshme 27 të moshuar të Shtëpisë së të Moshuarve Tiranë. Në një kohë kur ky brez është harruar disi, janë pikërisht nxënësit e kësaj shkolle, e cila është pjesë e grupit Taçi Oil, të cilët paraditen e djeshme kanë organizuar një aktivitet të veçantë, ku përveç dhuratave të përgatitura nga ata vetë, tepër të bukura ishin dhe këngët dhe atmosfera festive që ata përcollën në nderim të kësaj moshe. Ky aktivitet i veçantë u zhvillua nën kujdesin e presidentit të shkollës Mustafa Taçi, i cili dhuroi një impiant Stereo dhe veshmbathje për 27 të moshuarit.
Ndërkohë që drejtoresha e shkollës jo publike Nobel Lydra Biçoku theksoi se ky aktivitet zhvillohet për të sensibilizuar shoqërinë për më shumë vëmendje ndaj kësaj moshe. Ky është një aktivitet në kuadrin e punës edukative që ka shkolla jonë me njohjen e jetës së komuniteteve të tjera përveç moshës shkollore. Meqenëse fëmijët janë të ndjeshëm ndaj problemeve të gjyshërve ne dhe më parë kemi bërë në shkollë një festë për gjyshërit. Presidenti i shkollës ka bërë dhurata për këta të moshuar por po ashtu edhe vetë nxënësit kanë sjellë ushqime dhe disa lojëra. Janë nxënës nga klasa e pestë deri në të dhjetën që kanë ardhur këtu për të gëzuar këta të moshuar. Ky aktivitet ka dhe mesazhin për një sensibilizim më të madh të shoqërisë, që duhet të tregojë më shumë vëmendje ndaj kësaj moshe, theksoi Biçoku. Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve Tiranë Resul Domi gjatë këtij aktiviteti theksoi se ardhja e këtyre fëmijëve në Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë është shumë e rëndësishme për arsye se këto i organizime i kapërcejnë vlerat humane. Pra tek këta fëmijë skalitet respekti për gjyshërit, që i kanë çuar në kopshte dhe i kanë edukuar. Ata janë një vlerë për këta të moshuar. Kur vijnë fëmijët këtu ka një atmosferë tjetër. Mendoj që është një surprizë e bukur për këta të moshuar, që bëhet nga rreth 70 fëmijë të kësaj shkolle. Janë 27 të moshuar që i përkasin një kategorie të veçantë sepse u mungon familja. Dhe si të tillë kanë më tepër nevojë për përkujdesje dhe ngrohtësi. Ky aktivitet me fëmijët duket sikur i rinon ata. Falënderoj shkollën Nobel për këtë nismë të ndërmarrë për këta të moshuar. Aktivitete të tilla do të zhvillohen dhe në vazhdim. Qëllimi i këtij aktiviteti i ndërmarrë nga shkolla jopublike 12 vjeçare Nobel ishte për sensibilizimin e shoqërisë kundrejt moshës së tretë. Dhe më mirë se kushdo e treguan fëmijët e kësaj shkolle.