E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Bizjak: Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur

Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur për liberalizimin e vizave dhe shumë sfida të tjera për anëtarësimin në BE- është shprehur drejtori i përgjithshëm për Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, Ivan Bizjak, gjatë një interviste për Deutsche Welle.
"Unë shpresoj se kjo do të bëhet e mundur edhe për të dy vendet e rajonit (Shqipërinë dhe Bosnjën). Unë nuk jam në gjendje tani t'u them ekzaktësisht se si do të jetë vlerësimi pas pak muajsh, por jam i sigurt se dhe Shqipëria e Bosnje Hercegovina e kanë të qartë se çfarë duhet të përmbushin"- ka thënë Bizjak, duke shtuar më tej se kjo nuk është kaq e thjeshtë.
Sipas tij, liberalizmi i vizave është vetëm një aspekt i rrugës plot sfida drejt anëtarësimit të plotë në BE.
"Kjo kërkon shumë punë dhe energji. Duhen konsoliduar institucionet, të garantohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të respektohen të drejtat e njeriut, të ketë konkurrencë të lirë në treg etj., reforma bindëse dhe që japin efekte pozitive tek qytetarët dhe mirëqenia e tyre. Kjo arrihet jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra konkrete. Sepse problemet do të jenë më të pakta kur procesi kalon më shumë në planin konkret", tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›