Vizat, Brukseli bën gati delegacionin
Drejt Tiranës, drejtori për Zgjerimin, Luigi Soreca, dhe Marta Garcia Fidalgo
Komisioni Europian pritet ta skanojë Shqipërinë në kuadër të realizimit të detyrimeve për procesin e liberalizimit të regjimit të vizave. Një delegacion i posaçëm do të mbërrijë në Tiranë në fillimjavën e ardhshme dhe objektivi kryesor ka të bëjë me monitorimin nga afër të zbatimit të porosive të dhëna. Sakaq, Kryeministri Sali Berisha ka dhënë porositë e fundit për “vigjilencë” në prag të kontrollit nga Komisioni Europian.
Delegacioni
Burimet diplomatike thanë për “Shqip” se grupi që do të vizitojë Shqipërinë ka një përbërje të nivelit të lartë. Në krye të tij do të jetë kreu i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin pranë Komisionit Europian, Luigi Soreca. Së bashku me të do të jetë prezente edhe drejtoresha e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Marta Garcia Fidalgo. Të dërguarit e Brukselit do të marrin në analizë të gjithë bazën e të dhënave të dorëzuara nga qeveria shqiptare. Kryesisht ata do të përpiqen që të ballafaqojnë atë çka shkruhen nëpër letra, me ato çka realisht ndodhin në terren. Kontrolli në pikat kufitare, që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve, është një kriter që nuk pritet të jetë jashtë vëmendjes strikte të Brukselit. Blloku i parë në kuadër të udhërrëfyesit ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve të udhëtimit. Blloku i dytë ka të bëjë me migracionin e paligjshëm, duke përfshirë këtë edhe çështjen e ripranimit. Blloku i tretë flet për rendin publik dhe sigurinë. Blloku i katërt parashikon marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore. Delegacioni që do të vizitojë Shqipërinë, do të zhvillojë takime me zyrtarët shqiptarë dhe pas kthimit në Bruksel do mund të hartojë një raport konkret për gjendjen ku ndodhet Shqipëria. Nëse gjithçka shkon pozitivisht, komisioni mund t’i bëjë një propozim Këshillit të Ministrave për ta kaluar edhe Shqipërinë në listën e vendeve pa viza, sikurse Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi.
Gatishmëria
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave zhvilloi dje mbledhjen e radhës, në të cilën u diskutua rreth përmbushjes së kërkesave të udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave nga agjencitë dhe ministritë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se është bërë një punë e përditshme, e cila ka bërë të mundur të plotësohen në tërësi kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, Kryeministri përmendi ngritjen e Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit; hyrjen në fuqi të ligjit të ri kundër Krimit të Organizuar; miratimin nga qeveria të projektligjit për Asistencës Sociale të Viktimave të Trafikimit; votimin e shpejtë në Parlament të ligjit për moratoriumin e skafeve. Kryeministri u shpreh se ka progres shumë të madh dhe është zgjidhur problemi i kontrollit të bazës së të dhënave kriminale për aplikuesit për pasaportat biometrike, ndërsa viti 2011 është përcaktuar si viti i fundit për përdorimin e pasaportave të vjetra, ekzistuese. Lidhur me vizitën që pritet të zhvillojnë një Shqipëri një grup ekspertësh i Komisionit Europian, Kryeministri Berisha kërkoi nga agjencitë që të jenë të përgatitura për përgjigje sa më të sakta dhe për demonstrim sa më të qartë të të gjithë atyre kërkesave që janë zbatuar dhe që janë në zbatim e sipër, në përputhje me udhërrëfyesin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave.
#