Konferenca Gjyqësore, rikthehet plani i Parlamentit
Pas dështimit të nismave për mbledhjen edhe pa ligj, ekzekutivi vepron me draftin. E vetmja shpresë, opozita
Ministria e Drejtësisë ka gati projektligjin për Konferencën Gjyqësore, të cilin do e dërgojë së shpejti në Parlament, në pritje të pjesëmarrjes së opozitës, çka do të mundësonte miratimin me dy të tretat e votave të një ligji të rëndësishëm të gjyqësorit. Pas dështimit të nismave të vetë gjyqësorit për mbledhjen e konferencës pa ligj, drafti përfundimtar është hartuar nga Drejtoria e Kodifikimit në ministri. Mësohet se në projektin përfundimtar janë marrë mendimet e grupeve të interesit, si dhe të misioneve të huaja të akredituara në vendin tonë.
Ligji
Konferenca Gjyqësore ka “zbuluar” fraksione në sistemin gjyqësor, i cili u përfshi në një debat të gjerë për mbledhjen ose jo pa ligj të vetë konferencës gjyqësore. Por, në fund, pas dëshmimit të të gjitha nismave, palët hartuan disa kërkesa për Ministrinë e Drejtësisë që të kalojë sa më parë këtë projektligj në qeveri. Në fillim të debateve, KLD-ja dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve u rreshtuan kundër Gjykatës së Lartë dhe Unionit të Gjyqtarëve në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Drejtësisë paralajmëroi se mbledhja pa ligj e Konferencës Gjyqësore rrezikonte të fuste në kolaps sistemin gjyqësor në Shqipëri. Nënkryetari i KLD-së tha se vendimet që mund të merren, nëse konferenca do të mblidhej pa ligj ishin antikushtetuese. Dhe pas këtyre “kërcënimeve”, me nismën e kryetares së Gjykatës së Lartë, u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët konsultative kryetarët e gjykatave të Republikës së Shqipërisë, shoqatat e gjyqtarëve dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë në sistemin e drejtësisë. Në qendër të diskutimeve ishte projektligji i Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Nga takimi i përbashkët u arrit në katër përfundime. Pika e parë ishte një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projektligjin. Në pikën e dytë i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim. Në pikën e tretë, u kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.
Dështimet
Nga tryeza e rrumbullakët, në unanimitet u vendos që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vetadministrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë më datë 5 dhjetor 2009. Kur dukej se mbledhja e datës 5 dhjetor 2009 do të vendoste për fatet e konferencës, ajo është kthyer në një dështim, pasi në të morën pjesë më pak se gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë. Pas këtij takimi palët kanë diskutuar mënyrat e mbledhjes, por më kot, pasi asnjë ideje të hedhur nuk i është shkuar deri në fund. Burime nga Gjykata e Lartë thanë se nuk është dërguar asnjë ide për mbledhjen ose jo të Konferencës Gjyqësore, ndërsa shoqata dhe unioni i gjyqtarëve nuk ka marrë asnjë nismë të vetën, duke shpresuar vetëm te hyrja e opozitës në Kuvend, çka do t’i hapte rrugë procedurës për miratimin e një ligji shumë të rëndësishëm, që është parashikuar në Kushtetutë.
#