E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i tre vëllezërve sfidon policinë, dorëzohet në vendlindje

Forcat speciale e kërkonin në Korçë, ai arriti në Krujë
Besim Karaj, autori i vrasjes së tre vëllezërve në fshatin Vidohovë të Devollit ka arritur të kalojë pa telashe nëpër gati gjysmën e territorit të Shqipërisë dhe ka mbërritur në fshatin e tij të lindjes, ku ka vendosur vetë të dorëzohet në polici.
Arrestimi është kryer në shtëpinë e vëllait të vrasësit, në fshatin Thumanë të Krujës, pasi policia kishte dhënë garanci për jetën e personit më të kërkuar në vend. Zyrtarët e policisë janë munduar ta servirin arrestimin e Karajt si një sukses të tyrin, por fakt është se Besim Karaj u dorëzua vetë dhe ishte ai që filloi negociatat me forcat e rendit, duke vënë si kusht të vetëm faljen e jetës.
Dëshmia e kunatës
Aventura treditore e Karajt ka ende shumë pika të errëta, por gazeta “Shqip” ka arritur të sigurojë versionin që vetë vrasësi u ka treguar familjarëve të tij në Thumanë. Nisja e vëllait të Besim Karajt tregoi dje ato që ajo kishte dëgjuar nga goja e kunatit për arratinë: Besimi erdhi në shtëpinë tonë rreth orës 02:00 të natës. Ishte i rraskapitur, pasi kishte ecur pothuajse gjatë gjithë natës. Na tha se deri në hyrje të Fushë-Krujës kishte ardhur me një furgon. Kishte qenë njëherë në Fier dhe atje kishte hipur në një furgon për në Fushë-Krujë. Na tha se një pjesë të mirë të rrugës nga Korça deri në Fier e kishte bërë duke ecur malit dhe kryesisht gjatë natës, por kishte hipur edhe nëpër furgonë e autobusë për të përshkuar distanca të shkurtra.
Për ushqim nuk kishte hequr keq, sepse kishte hyrë në dyqanet e fshatrave ku kalonte. Gjatë rrugës kishte mundur edhe të rruhej, për të mos dhënë përshtypjen e një njeriu të parregullt, ndërsa me vete gjatë gjithë kohës kishte mbajtur edhe armën, që e fshihte nën xhup. Dy krehrat me fishekë i mbante në brez dhe askush nuk e diktoi në tri ditë. Rrugën nga Fushë-Kruja deri në Thumanë e ka bërë në këmbë, duke iu shmangur vendeve të ndriçuara, ndërsa telefonin e kishte të fikur, sepse nuk kishte pasur mundësi të karikonte bateritë.
Sapo erdhi në shtëpi i kërkuam që të dorëzohej, mendim që edhe ai e kishte, por nuk kishte besim te policia e rretheve të tjera me përjashtim të policisë së Krujës. Ne hymë në bisedime me policinë e Krujës dhe pas negociatave vendosëm ta dorëzonim bashkë me armën e krimit.
“Nuk doja t’i vrisja të tre”
Kunata e Besim Karajt thotë se vëllai i burrit të saj kishte sqaruar në familje edhe motivet e krimit dhe ishte shprehur se nuk kishte dashur t’i vriste të tre vëllezërit. “Do vrisja vetëm Taulantin, por kisha frikë se mos vëllezërit e tjerë më kundërviheshin me armë, ndaj i vrava të tre. Pas vrasjes së parë nuk kam ditur se ç’bëja, pasi isha në një vend të huaj, ku nuk kisha besim tek asnjëri”, mësohet të ketë thënë Besim Karaj. Ai ka treguar gjithashtu se natën e parë pas krimit kishte kaluar kufirin, por duke parë makinat e policisë greke nga larg është kthyer dhe duke ecur herë më këmbë e herë me makina të rastit, ka mbërritur në Fier. “Rreth 24 orë pas vrasjes pata rastin të hyja në një lokal në një fshat dhe duke dëgjuar lajmet mora vesh se edhe ata të RENEA-s ishin vënë në kërkimin tim. Kisha frikë se ata do të më asgjësonin, pa më paralajmëruar edhe sikur unë të kërkoja të dorëzohesha”, ka thënë Besimi, sipas kunatës së tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›