E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Inzko-Meta: OKB vlerëson progresin

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e informoi dje z. Valentin Inzko, përfaqësuesin e lartë të OKB-së dhe njëherësh Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën për reformat e realizuara nga qeveria shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në plotësimin e të gjitha kritereve që kërkon procesi i liberalizimit të vizave, për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve etj. Nga ana e tij, Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së vlerësoi progresin e arritur nga qeveria shqiptare dhe nënvizoi domosdoshmërinë për liberalizimin e vizave si një tregues real i vlerësimit dhe mbështetjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Prej OKB-së u vlerësua qëndrimi i diplomacisë shqiptare ndaj çështjes së Bosnje-Hercegovinës, duke e cilësuar atë si mjaft pozitiv. Përkrahja që Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe me rol të spikatur për stabilitetin dhe integrimin e rajonit i jep Bosnjë-Hercegovinës, është e një rëndësie të veçantë dhe për këtë unë ju jam mirënjohës, - deklaroi Përfaqësuesi i OKB-së dhe BE-së për Bosnjën, Valentin Inzko. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e madhe që ka për të gjitha vendet e rajonit bashkëpunimi mes tyre në procesin e integrimit evropian. Gjithashtu, u vlerësua roli i Shqipërisë me politikën e jashtme konstruktive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›