Berisha në Kuvajt, nënshkruhen marrëveshje

Kryeministri Berisha është nisur sot për një vizitë zyrtare në Kuvajt me ftesë të homologut të Kuvajtit, Sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.
Kryeministri Berisha gjatë kësaj vizite do të të zhvillojë një takim me kryeministrin e Kuvajtit i cili do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.
Gjatë kësaj vizite kryeministri Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, Sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah si dhe me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi.
Një pjesë e gjerë e axhendës së kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe me interesin e investitorëve kuvajtianë për të investuar në Shqipëri. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve pritet të nënshkruhet një seri marrëveshjesh të rëndësishme, si: nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; nënshkrimi i programit ekzekutiv për turizmin etj.
Kështu Berisha do të zhvillojë takime me zotin Khalid Abdullah Al-Sager, drejtues pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, si dhe me zotin Abdulwahab Al-Bader, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab.
Në këtë vizitë zyrtare Kryeministri Berisha shoqërohet nga Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, nga Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, zoti Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar.