E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria : Vendimet janë lënë në fuqi nga gjykata

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar menjëherë pas akuzave të ILDKP-së për pushim të hetimeve për rastet e referuara prej këtij institucioni për kallëzime penale. Nisur nga deklarimi para Komisionit të Ligjeve të Kuvendit i Inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë se prokuroria përdor standarde të dyfishta në hetimin e rasteve të referuara nga ILDKP-ja, Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar se prokuroria vendimmarrjen, në rastin e hetimeve penale, e bazon në provat e administruara gjatë hetimit nga policia gjyqësore. Në rastin kur pushohen hetimet, vendimet e prokurorisë në bazë të ligjit janë të ankimueshme në gjykatë dhe tek prokurori më i lartë. Prokuroria gjatë vitit 2009, për kallëzimet e paraqitura nga ILDKP-ja ka pushuar hetimet për shtetasin Florian Nova me detyrë ambasador, shtetasin Arjan Ndoja me detyrë prokuror dhe shtetasin Shpëtim Guxholli me detyrë inspektor tatimesh në Korçë. ILDKP është njohur rast pas rasti me vendimet e pushimit dhe ka ankimuar në gjykatë vendimet e pushimit vetëm për shtetasit Florian Nova dhe Arjan Ndoja. Gjykata e Tiranës me vendimet nr. 1466 datë 25.11.2009 dhe nr. 523 datë 22.4.2009 ka lënë në fuqi vendimet e pushimit të prokurorisë, si të bazuara në prova dhe ligj. Fakti që vendimet e pushimit të prokurorisë të ankimuara nga ILDKP-ja janë konsideruar të drejta nga gjykata, tregon se vendimmarrja e prokurorisë nuk ka qenë me standarde të dyfishta, por e bazuar në ligj. Më tej, në sqarimin e saj, Prokuroria e Përgjithshme shpjegon edhe rastin tjetër të përmendur në Komisionin e Ligjeve. Zyrtari i lartë i emëruar nga Kuvendi, për të cilin ILDKP pretendon se janë mbyllur hetimet pa të drejtë nga prokuroria, është me detyrë anëtar i KKRTSH. Ky është një rast i vitit 2008, i kallëzuar nga ILDKP-ja për refuzim deklarimi nga ky shtetas. Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve, për faktin se ILDKP nuk kishte ezauruar më parë masën administrative që kërkon neni 257/a, paragrafi i 2 i Kodit Penal. Vendimi i pushimit i është bërë prezent ILDKP dhe nuk është kundërshtuar nga ana e tyre as në gjykatë dhe as tek prokurori më i lartë, - ka përfunduar reagimin Prokuroria e Përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›