Berisha: Shqipëria, mundësi për superfuqi energjitike
Energjia, Berisha mbledh Task-Forcën. Pozicioni gjeografik, vetëm 100 km nga tregu italian
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, është i bindur se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të qenë një superfuqi energjitike në rajon. Vendi ynë është i favorizuar prej pozicionit gjeografik të shkëlqyer, i vendosur në bririn më perëndimor të gadishullit, më pak se 100 km nga një nga tregjet më të mëdha në Evropë të energjisë, siç është tregu italian, e pasur në burimet e saj për energji të rinovueshme. Z. Berisha drejtoi dje, pranë Këshillit të Ministrave, mbledhjen e Task-Forcës për Reformën Rregullatore. Në mbledhjen e djeshme u diskutua për Qendrën Kombëtare të Aplikimit të Energjisë (QKAE) dhe alokimin e kësaj qendre pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. Kryeministri Berisha u shpreh se në vazhdim të reformës rregullatore të tregut, kjo mbledhje do të shqyrtonte një çështje shumë të rëndësishme, siç është QKAE, One Stop Shop për energjinë, e cila u ngrit rreth një vit më parë, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Kryeministri nënvizoi se ngritja e kësaj qendre erdhi si domosdoshmëri dhe shtytje pas interesit shumë të madh shqiptar, evropian dhe botëror për energjitikën në Shqipëri dhe biznesin lidhur me këtë fushë. Shqipëria, - tha Kryeministri, - ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer për tu shndërruar në një superfuqi të vërtetë energjitike në rajon, e vendosur në bririn më perëndimor të gadishullit, më pak se 100 km nga një nga tregjet më të mëdha në Evropë të energjisë, siç është tregu italian, e pasur në burimet e saj për energji të rinovueshme. Shqipëria ka tërhequr interesin e kompanive të të gjitha përmasave për të investuar në Shqipëri, nga ato më të mëdhatë në Evropë, deri tek kompanitë e vogla shqiptare dhe të huaja. Qendra e ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, - u shpreh më tej Kryeministri, - bëri hapat e parë, por qëllimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë dhe i prerë, që kjo qendër të kalonte pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes, përgëzoi punën e bërë nga Qendra Kombëtare për Lejet dhe Licencat, për arritjet e saj në një kohë të shkurtër, të cilat kanë bërë që kjo nismë e qeverisë dhe e Task-Forcës për Reformën Rregullatore të shndërrohej në një histori suksesi. Kryeministri Berisha kërkoi nga kjo qendër që, në këtë stad të ri të saj, të angazhojë ekspertët dhe forcat më të kualifikuara të fushës. Në mbledhjen e Task-Forcës për Reformën Rregullatore u diskutua edhe për problematikën lidhur me licencat për lëndët ozonholluese dhe për praktikat e ndjekura në vende të ndryshme në këtë drejtim.