UT, komision për provimet e studentëve
Për studentët e Universitetit të Tiranës do të marrin fund ankesat ndaj korrigjimeve të padrejta të tezave të provimeve. Senati i këtij universiteti gjatë mbledhjes së radhës sot në mesditë, pritet që të miratojë kërkesën e studentëve për ngritjen e një komisioni të posaçëm për rikorrigjimin e provimeve të tyre. Kjo kërkesë është depozituar në rektoratin e UT-së nga përfaqësues të studentëve në Këshillin Kombëtar Studentor.
Në propozimin që kanë paraqitur për këtë çështje studentët kanë kërkuar që ankesat ndaj notës së provimit të bëhen brenda 24 orëve nga shpallja e rezultatit të provimit. Gjë që do të thotë së pedagogu i lëndës nuk mund të dokumentojë rezultatin e provimit menjëherë në procesverbal.
Por, do të lihet ky afat kohor në mënyrë që studentët që pretendojnë se nuk kanë marrë notën që meritonin, të kenë mundësi ta apelojnë atë. Vç kësaj, ata kanë propozuar që kërkesa për të rishikuar provimin të bëhet në mënyrë burokratike, duke dorëzuar një shkresë në sekretaritë përkatëse. Pas kësaj zinxhiri i ankesës zgjatet më tej tek shefi i Departamentit, e në rast se as ky nuk zgjidh punë hallka e fundit është Dekani.
Për rishqyrtimin e provimeve të tyre studentët kanë kërkuar ngritjen e një komisioni të posaçëm, në përbërje të të cilit duhet të jetë edhe një student.
Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika, prezenca e një studenti në procesin e rivlerësimit të notave, është e nevojshme jo vetëm për transparencë, por edhe për të parë procedurën e rishikimit të fletëve të provimit. Megjithëse ideja e pranisë së një studenti në këtë komision nuk është pëlqyer nga anëtarët e senatit, ky propozim pritet që të miratohet gjatë mbledhjes së sotme.
Propozimi i studentëve u bë pak kohë më parë, kur studentë të fakultetit të Ekonomisë dhe të Mjekësisë shprehën pakënaqësi në lidhje me procesin e shqyrtimit të provimeve. Sipas studentëve të fakultetit të Ekonomisë, provimet e tyre korrigjoheshin nga pedagogë, të cilët nuk u kishin dhënë ndonjëherë mësim.
Ndërkohë që për ta ishte e pamundur të kontaktonin me pedagogët që korrigjonin provimet pasi titullarët në pjesën më të madhe të kohës nuk ishin në fakultet për shkak të impenjimeve të tyre.
E për këtë arsye studentët kërkonin që provimet të rishikoheshin në prani të vetë studentëve, në mënyrë që t'u tregohej ku kishin gabuar dhe përse ishin vlerësuar me atë sasi pikësh. Është hera e parë që në rregulloren Universitetit të Tiranës do të ketë një nen të vçantë për të drejtën e ankesës së studentëve.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se telashet e studentëve. Senati i universitetit miraton një rregullore në vija të përgjithshme që synon t'u japë një zgjidhje problemeve të arsimit të lartë, por duke mos dashur të cenojë autonominë e fakulteteve në vçanti. E thënë ndryshe secili fakultet do të ketë mundësinë që të specifikojë rregulloren sipas nevojave dhe kërkesave të tij.