Qeveria, fond për projektin e dështuar të 06-'07
Celularët në BURGJE
Këshilli i Ministriave miratoi dje një fond prej 30 milionë lekësh për pagesën e aparaturave të blera në vitin 2006
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, aplikoi projektin në vitin 2006, por u anullua pasi bllokonte zonat rreth dhe administratën
TIRANË- Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme të anëtarëve të kabinetit vendosi në dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë me kërkesë të kësaj të fundit një fond prej 30 milionë lekësh të reja, për blerjen dhe montimin e sistemit të pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend.
Kështu sipas vendimit të firmosur nga kryeministri Sali Berisha, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit një fond prej 30 milionë lekësh që të vendosë në 12 institucionet e vuajtjes së dënimit antenat anti-celular.
Ndërkohë, po me një fond të tillë, në vitin 2006 Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me miratimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka përzgjedhur një kompania private, e cila ka vendosur instalimin e këtyre antenave anti-celular në institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit për disa muaj.
Por, vendosja e tyre nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në futjen dhe komunikimin e të dënuarve apo të paraburgosurve nga vendet e izolimit me aparatet celular, pasi antenat kanë rezultuar defektoze. Gjithashtu, përveç se kanë qenë defektoze, në atë kohë kishte reagime edhe nga banorët e zonave për rreth këtyre institucioneve si dhe të disa gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të cilët për kohën e qëndrimit në punë i bllokoheshin valët e celularëve.
Ky projekt që në atë kohë u proklamua nga drejtuesit e burgjeve si një zgjidhje e problemit të komunikimit të të dënuarve me aparate celulare, pas ca muajve rezultoi i dështuar edhe pse shuma e rreth 250 mijë dollarëve amerikanë që u shpenzua për këtë projekt u lëvruan nga kompania private.
Në fund të vitit 2006 Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të asaj kohe kontraktuan me anë të një tenderi një kompani private për instalimin e këtyre antenave, kompani kjo që i porositi antenat në shtetin e Izraelit.
Por, këto pajisje në atë kohë u bllokuan për disa muaj, deri në ndërhyrjen e vetë ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi tek homologu i tij izraelit që liroi bllokimin e tyre, për shkak se i cilësonin si pajisje luftarake.
Edhe pas lirimit të këtyre pajisjeve dhe instalimit të tyre, antenat anti-celular nuk sollën ndonjë ndryshim në burgje. Saqë arrinin deri aty drejtuesit e burgjeve që me "kërkesën" e të izoluarve brenda qelive të fiknin në darkë antenat për t'i lehtësuar komunikimin të paraburgosurve apo të dënuarve.
Ndërkaq, me vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave, këta të fundit përcaktuan procedurat e përzgjedhjes së operatorit ekonomik për instalimin e tyre dhe standardet që kompania duhet të plotësojë pas ngritjes së Komisionit të Hartimit të Dokumenteve Standarde me përbërje: një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë që do të jetë edhe kryetari i këtij komisioni si dhe nga një anëtar të institucioneve nga Ministria e Brendshme, Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit si dhe nga një anëtar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Këta përfaqësues, sipas VKM-së do të përcaktojnë standardet e pajisjes për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme; përzgjedhjen e operatorëve, të cilëve do t'iu dërgohet ftesa për ofertë; përcaktimin e kritereve për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e operatorit ekonomik si dhe përgatitjen e ftesës për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse të operatorëve ekonomikë.
Në marrjen e vendimit përfundimtar të përzgjedhjes së subjektit sipas VKM-së, Komisioni duhet të bazohet në plotësimin e kritereve të përgjithshme e teknike; cilësinë e pajisjes së ofruar; çmimin më të ulët dhe në shërbimin e ofruar nga subjektet e interesuara për blerjen dhe montimin e pajisjes si dhe reputacionin e operatorit ekonomik.