Vizat, Spanja mbështet Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Spanjës Alfredo Perez Rubalcaba ka ofruar mbështetjen e vendit të tij plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Garancia është dhënë nga Rubalcaba, gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Lulzim Basha.
Ministri Rubalcaba e ka siguruar Ministrin Basha se në funksionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ai do të angazhohet maksimalisht për shqyrtimin pa vonesë të propozimit formal të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo të kenë përfunduar misionet e monitorimit.
Ministri Basha e informoi homologun spanjoll, mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumentave të identitetit dhe të sigurisë së kufijve. Basha i bëri të ditur homologut spanjoll se brenda një kohe të shkurtër janë pajisur me pasaporta biometrike mbi 350 mijë qytetarë shqiptarë, e ndërkohë Shqipëria zotëron sot një sistem tërësor të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufirit sipas standarteve të vendeve Schengen.
Në fillim të vitit 2009, Spanja do të marrë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian.