E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: Shqipëria rrezikon integrimin në BE

Bojkoti i opozitës mund të dëmtojë integrimin e vendit në bashkimin europian. Ky është alarmi që hedh ambasadori gjerman në vendin tonë Bernd Borchardt, sipas të cilit situata e tanishme politike do të vijojë më tej, atëherë rriten rreziqet për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Deklaratën e fortë, Borchardt e bëri në një intervistë për "Deutsche Welle", gazetarit Arben Muka, i cili duke folur për integrimin e vendit në Bashkimin Europian i rekomandoi klasës politike shqiptare të shfaqin më qartë vullnet të dukshëm politik, të jenë të gatshëm t'i drejtohen njëri-tjetrit dhe të zgjidhin problemet politike në vendin tuaj. "Këtu nuk ka vend as për ultimatume, as për kërcënime të fshehta dhune, apo sulme personale. Ministrat e Jashtëm të BE-së u kanë kërkuar të gjitha partive politike të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv edhe në parlament", theksoi.Borchardt. Sipas diplomatit gjerman, problemi kryesor është mosbesimi i thellë midis blloqeve politike dhe përkundrejt institucioneve dhe ky mosbesim mund të kapërcehet vetëm përmes reformimit të institucioneve dhe bashkëpunimit në mirëbesim mes grupimeve politike veçanërisht në kuadër të reformave. "Këto reforma dhe ky bashkëpunim në demokraci janë të realizueshme, por vetëm brenda Parlamentit", theksoi ai. Borchardt kërkon që situatën politike ta zgjidhë qeveria e cila sipas tij, është përgjegjëse kryesore për gjendjen në vendet e qeverisura prej tyre. "Një hap i qartë i qeverisë drejt opozitës do të ishte ndoshta një hap i parë për të rindërtuar gradualisht besimin e humbur në "anën tjetër", shton ai. Ndërsa duke folur për liberalizimin e vizave, Borchardt shprehu besim se në vitin 2010 ky proces do të mbyllet me sukses për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›