E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat dhe pyetësori, Berisha në Bruksel

Kryeministri dorëzon përgjigjet te Fule. Prova e parë për krizën politike

Qeveria shqiptare nisi dje drejt Brukselit përgjigjet prej 3854 faqesh të pyetësorit të Komisionit Europian, përmes të cilit shpreson që brenda këtij viti Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Në kuadër të këtij evenimenti, Kryeministri Berisha mbajti dje edhe mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, ku foli në lidhje me rëndësinë e këtij dokumenti për të ardhmen europiane të Shqipërinë. Po kështu, Kryeministri Berisha është nisur sot drejt Brukselit ku në një vizitë dyditore do të zhvillojë takime me krerët më të larta të Bashkimit Europian, si presidentin e Këshillit Europian, Herman van Rompuj, presidentin e Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek. Gjatë këtyre takimeve Berisha do të realizojë edhe një test politik për të parë reagimin e Brukselit ndaj krizës politike në Shqipëri. Burimet nga blloku i BE-së, të cituara nga “Dtt-net” deklaronin dje se ka gjasa që Kryeministri i Shqipërisë të paralajmërohet qartazi për krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Në të njëjtën kohë me Berishën, në Bruksel do të jetë edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili ka një seancë dëgjimore për çështjen e liberalizimit të vizave. Sakaq, zyra e shtypit të Kryeministrit bën të ditur se gjatë ditës së parë të vizitës Berisha do t’i dorëzojë volumin, me përgjigjet e pyetësorit, komisionerit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Stefan Fule, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim, e më pas një konferencë për shtyp. Po kështu, kreu i qeverisë do të jetë relator në konferencën “Shqipëria drejt Bashkimit Europian, një rrugë mbi meritën”, organizuar posaçërisht për Kryeministrin e Shqipërisë nga fondacioni “Robert Schuman”, në të cilën do të marrë pjesë edhe Joseph Daul, President i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane dhe mjaft përfaqësues të Parlamentit Europian. Ndërsa në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një konferencë për shtyp me Presidentin e PE-së, Jerzy Buzek. Gjatë këtyre takimeve, kreu i qeverisë pritet të diskutojë me krerët e lartë të BE-së në lidhje me statusin e vendit kandidat, liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe çështje të tjera të rëndësishme, duke përfshirë edhe situatën e brendshme politike të vendit. Gjatë prezantimit të përgjigjeve të pyetësorit që bëri në mbledhjen e radhës së qeverisë, Berisha theksoi se ky dokument përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt BE-së. “Ky dokument përfshinë tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20-vjeçare të Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri. Sipas tij, paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian. Por në këtë prezantim kreu i qeverisë theksoi se kishte ardhur momenti që opozita të merrte të gjitha përgjegjësitë e saj në lidhje me këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve. “Ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve”, theksoi Berisha. Sipas tij, në vend nuk ekziston asnjë forcë politike që të mos mbështesë në programin e vet, procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se ka rëndësi të madhe ka që secili aktor i politikës në pozicionin e tij të japë me vendosmëri kontributin që i takon. Kryeministri theksoi se në këtë proces, hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të mazhorancës qeverisëse, të opozitës, të shoqërisë civile, të biznesit, të botës akademike, të rinisë, grave dhe çdo elementi tjetër të shoqërisë shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›