Shqiptarët përjashtohen nga regjistrimi
Maqedonia vazhdon me të njëjtin ritëm të ndërmarrë një politikë institucionale që bie kundërshtim me shqiptarët etnikë që përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë së këtij vendi fqinj. Kështu, autoritetet e qeverisë kanë vendosur që të bëjnë regjistrimin e popullsisë në prill të vitit 2011, por ky proces do të zhvillohet në mungesën e plotë të përfaqësuesve të shqiptarëve. Regjistrimi i ri i popullsisë vitin e ardhshëm do të zhvillohet pa kuadro shqiptarë, që nuk është i pranishëm në këtë institucion, ndërsa për realizimin e projektit janë siguruar 14 milionë euro. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të realizohet nga 1 deri më 15 prill të vitit 2011, ka kumtuar Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS). Drejtoria e këtij institucioni nuk ka bërë të ditur se si do të zgjidhet çështja e përfaqësimit dhe qasjes së kuadrit shqiptar në këtë institucion, lidhur me pjesëmarrjen aktive në procesin e realizimit të regjistrimit. Drejtorja e ESHS-së, Bllagica Novkovska, ka refuzuar që në këtë institucion të zbatohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, në aspektin e përfaqësimit. “ESHS është institucion shkencor dhe profesional dhe nuk mund të vendoset në kuadrin e institucioneve të tjera. Këtu bëhet fjalë për kuadro të profesionalizuara dhe profilizuara”, ka theksuar Novkovska, e cila ka shtuar se ESHS i ka dyert e hapura për kuadrot e profesionalizuara. Sipas saj, edhe përfaqësimi është një çështje që nuk ndikon në përqindjet e regjistrimit të popullsisë. Novkovska gjithashtu ka nënvizuar se institucioni i tyre është i gatshëm për t’u rezistuar presioneve politike për numrat që do të dalin nga regjistrimi. “Jemi të vetëdijshëm për të gjitha interpretimet e mundshme dhe komentet që do të pasojnë gjatë periudhës së ardhshme. Do të tentojmë që me të gjitha kapacitetet të realizojmë regjistrimin në mënyrë profesionale, me ç’rast do të shmangim të gjitha llojet e presioneve”, ka theksuar Novkovska. Në regjistrimin e vitit të ardhshëm, përveç popullsisë do të numërohen edhe amvisëritë dhe banesat, do të zbatohen të njëjtat metoda të regjistrimit të vitit 2002, ndërsa në kuadër të këtij projekti do të marrin pjesë 20 mijë pjesëmarrës. Të dhënat e para të regjistrimit do të publikohen më së voni deri në korrik të vitit 2012. Përfaqësimi në Entin e Statistikave: Drejtoreshë është Bllagica Novkovska, zv/drejtoreshë: Sllavica Stankovska. 8 sektorët në tërësi udhëhiqen nga kuadro të nacionalitetit maqedonas, ndërsa lëvizja e parë në Entin Shtetëror të Statistikave filloi në vitin 2007, kur në këshillin e këtij institucioni për herë të parë u emëruan dy shqiptarë, kuadro të profesionalizuara. Nivelet e poshtme nëpër njësi gjithashtu udhëhiqen dhe dominojnë kuadro të nacionalitetit maqedonas, ndërsa në të gjitha njësitë rajonale duke përfshirë edhe Tetovën dhe Kumanovën, të gjithë udhëheqësit janë kuadro maqedonase. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni vazhdojnë të jenë të ndera, ndërsa autoritetet maqedonase vazhdojnë ta trajtojnë këtë çështje pa kujdes dhe duke përjashtuar shqiptarët. Kjo situatë ka irrituar mjaft nga përfaqësuesit shqiptarë, megjithëse në qeveri ndodhet partia e drejtuar nga Ali Ahmeti. Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferri, në një intervistë për të përditshmen maqedonase, “Dnevnik”, ka deklaruar se do ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja e Ohrit. Xhaferri theksoi gjithashtu se Marrëveshja e Ohrit fitoi karakteristika karikaturale me të cilat e humbi misionin e saj. “Akti i tërheqjes së nënshkrimit është akt moral dhe do të jetë sinjal se punët nuk po lëvizin në drejtim pozitiv. Më mirë të bëhet paralajmërim me simbolikë diplomatike, sesa të lëvizet në drejtim tjetër”, theksoi Xhaferri. Ai është shprehur se Maqedonia e ka humbur shansin të funksionojë në korniza unitare, si shtet multientik dhe ka ofruar modelin e federalizimit të Maqedonisë ose konfederatë.
#