“Vizat, drejt përmbushjes kërkesat e fundit të KE, synojmë krijimin e një ‘Schengen’ Ballkanik”
Shqipëria merr Presidencën e MARRI-it, flet Minsitri Lulzim Basha
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha është shprehur dje gjatë një konference për migrimin, se Shqipëria ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe se pret e qetë vendimin e Komisionit Evropian për hyrjen në zonën “Schengen”.
Duke referuar në tryezën e rrumbullakët me temë “Përmirësimi dhe intensifikimi i aksesit për informacion dhe shkëmbimit të të dhënave mbi migracionin dhe refugjatët midis vendet të MARRI-t. Pa viza- pa tarifa- zonë e lëvizjes së lirë mes vendeve të MARRI-t”, Basha tha se Shqipëria pret vendimin për heqjen e vizave, pasi ka realizuar edhe kriteret e fundit të të kushtëzuara nga Komisioni Evropian.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se dhe qeveria shqiptare ka miratuar një strategji të plotë dhe të gjithanshme për riintegrimin e të rikthyerve së bashku me plan veprimin dhe kostot përkatëse financiare, duke mbyllur në mënyrë të plotë këtë detyrim të ri të paraqitur Shqipërisë në mars nga Komisioni Europian. Shpreh bindjen, se hapat që janë hedhur për plotësimin e kushteve do të konkretizojnë shumë shpejt lëvizjen pa viza edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës”- u shpreh ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Ministri shprehu dhe njëherë angazhimin e qeverisë shqiptare, për të realizuar çdo reformë që bën të mundur afrimin e shqiptarëve me familjen e madhe evropiane.
Duke iu referuar objektivave të Presidencës shqiptare të MARRI-it (Iniciativa Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët), Basha tha se synimi kryesor është të përcaktohet brenda një kohe të shkurtër një kalendar realist për arritjen e “Schengenit” ballkanik, lëvizjes së lirë të qytetarëve të gjithë vendeve pa barriera administrative, kufitare dhe tarifore.
Një prioritet të konsiderueshëm, Basha përcaktoi forcimin e kontrollit të kufijve për të siguruar një rajon me kufij të papenetrueshëm nga krimi transkufitar dhe transkombëtar, një rajon i cili eksporton vetëm siguri drejt vendeve të BE.
“Në takimin e fundit homologët dhe kolegët e mi ministra i dhanë mbështetje të plotë axhendës shqiptare për presidencën njëvjeçare të MARRI-t. Kujtoj këtu mbështetjen e ministrit Ivica Dacic për projektin e një Shengeni ballkanik të mbështetur edhe nga ministrat e tjerë. Mbështetjen e kolegut tim malazez Ivan Brajovic për një bazë të përbashkët të dhënash për të gjithë personat e vendeve të treta që migrojnë apo kërkojnë azil në vendet tona, si dhe përkrahjen e çdo vendi anëtar për një përqasje sa më uniforme bazuar edhe në praktikat dhe sistemet pothuajse uniforme që vendet tona tashmë disponojnë si rezultat i procesit të liberalizimit të vizave”- tha ministri.
Ministri i Brendshëm i bëri thirrje vendeve të rajonit, të pranishme në këtë konferencë të konsiderojnë pjesëmarrjen e Kosovës, si një qasje gjithëpërfshirëse dhe pa të përjashtuar dhe pa asnjë paragjykim ndaj pozicioneve të ndryshme që vendet anëtrare kanë përsa i përket pavarësisë së shtetit të ri në Ballkan.
“Përsëris kërkesën në emër të presidencës shqiptare dhe në emër të Qeverisë shqiptare secilit prej vendeve tuaja, por edhe Komisionit Europian për një përfshirje të Kosovës në këtë forum, në mënyrë që problemet që ne trajtojmë, të cilat janë probleme të përbashkëta, të trajtohen edhe në kuadrin e territorit të këtij vendi”- nënvizoi më tej, ministri i Brendshëm Lulzim Basha.