E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erioni dhe Jetmiri: Jona është ofenduese

Gjatë një bisede me njëri-tjetrin, djemtë shprehen se sjellja e Jonës u duket shpesh e ekzagjeruar. Sipas tyre, ajo sillet si një grua në moshë të mesme, kërkon çdo herë të vendosë drejtësi dhe rregulla mirësjelljeje. Këtë gjë ia thonë edhe vetë asaj në sy

Debatet e javës së shkuar, por edhe ato gjatë spektaklit të së shtunës, i kanë shtyrë banorët që të ulen të diskutojnë me qetësi. Erioni, Mandi e më pas edhe Klodi e Jona i thonë Seldit se ai është impulsiv e nuk duhet të provokojë reagime që mund të degjenerojnë në dhunë. Nga ana tjetër, Hakiu dhe Mandi kanë tentuar të sqarohen me njëri-tjetrin pas fjalëve ofenduese që kanë thënë ditë më parë.

Domenika qan për mama Valen

Ndërsa pjesa më e madhe e banorëve kanë dalë jashtë, Domenika rri vetëm në sallon. Gjatë gjithë ditës ajo ka qenë e mërzitur dhe tashmë shpërthen në lot. Pranë i shkon Seldi i cili fillon ta ledhatojë dhe më pas Klodi. Ai e pyet dhe Domenika i thotë se është mërzitur për nënën e saj. Nisur nga klipi i transmetuar gjatë spektaklit ku Jetmiri fliste keq për Domin, Seldin dhe ndjenjat e tyre, ajo mendon se nëna e saj është shqetësuar shumë për këtë. Klodi i thotë se nuk ka përse të shqetësohet për Valentinën, sepse ajo po e ndjek nga jashtë shtëpisë, por Domenika thotë se e njeh nënën e saj dhe e di që ajo shqetësohet shumë. Klodi fillon që të ngushëllojë vajzën dhe e këshillon që të mos u vërë rëndësi ngjarjeve të tilla si ajo me Jetmirin, sepse në fund të fundit ata janë në një lojë dhe provokimet janë pjesë e kësaj loje.

Banorët: Seldi është impulsiv

Erjoni dhe Mandi rrinë jashtë dhe diskutojnë për debatin që ndodhi gjatë spektaklit. Të dy e komentojnë si të gabuar sjelljen e Jetmirit dhe fjalët e tij ndaj Seldit dhe Domenikës, por nuk lënë pa kritikuar edhe sjelljen e Seldit. Pas shfaqjes së klipit, Seldi iu afrua Jetmirit, i cili nuk po i kthente përgjigje dhe e prek te koka. Këtë veprim Erioni e komenton si një provokim që Seldi i bëri Mirit, i cili edhe pse nuk reagoi mimika e fytyrës tregoi se u ndje keq nga kjo gjë. Të njëjtën temë diskutimi hap edhe Jona në sallon teksa bisedon me Klodin, Domenikën dhe Seldin. Jona i thotë Seldit që të mos jetë kaq impulsiv dhe i referohet këtu pikërisht sjelljes së tij kundrejt Jetmirit. Ajo e këshillon ta presë më me sportivitet dhe qetësi gjithçka. Seldi nervozohet dhe thotë se ai nuk e mohon që është impulsiv, por nuk lejon që dikush ta cenojë. Jona mendon se në këtë rast është veprimi i Seldit që mund të bëjë më shumë përshtypje sesa ato që tha Jetmiri, i cili ka të drejtën të mendojë ç’të dojë. Argumentit të Jonës i bashkohet edhe Klodi, i cili i thotë Seldit të mos shkaktojë situata provokative që mund të çojnë deri edhe në dhunë fizike.

Nominimi i 5 djemve

Pas sistemimit të buxhetit të javës, banorët dalin jashtë dhe bisedojnë duke bërë shaka me njëri-tjetrin. Domenika lan enët, kurse Jetmiri gatuan. Të dy punojnë pa shkëmbyer as edhe shikime ndaj njëri-tjetrit, ndërsa jashtë banorët bisedojnë miqësisht. Ndër të tjera ata diskutojnë edhe për nominimet e kësaj jave ku Mandi i thotë me të qeshur Klodit “sa të fortë jemi këtë javë në nominim”. Klodi fillon të luajë me fjalë me Mandin dhe më pas biseda e tyre bëhet serioze. Klodi thotë se që nga fillimi është hera e parë që në nominim dalin pesë djem në BB3. Të njëjtën gjë thotë edhe Seldi duke theksuar se vajzat kanë qenë më shpesh të nominuara çka ka bërë që pjesa më e madhe e të eliminuarve të jenë pikërisht konkurrentet vajza. Ata fillojnë të bëjnë llogari se sa do të ngelen për në finale edhe nëse këtë javë do të largohen dy prej tyre.

Erioni, Jonës: “Je bërë si drejtoreshë e spitalit”

Ndërsa Jona dhe Miri flasin për Domenikën dhe Seldin, aty vjen edhe Erioni. Në një moment Erioni i thotë Jonës: “Na je bërë si drejtoresha e spitalit”. Ata i thonë se shpesh Jona mundohet që të vendosë drejtësi, duke thënë se ata nuk veprojnë në mënyrë të drejtë. Të dy djemtë debatojnë me Jonën duke i thënë se mënyra e të vepruarit të saj u duket shumë e ekzagjeruar ndonjëherë. Jona u kërkon banorëve që t’i thonë të lutem, faleminderit etj. Djemtë justifikohen duke i thënë se është stresi dhe fakti që tashmë u bënë më se tre muaj që jetojnë në një shtëpi dhe gjërat u janë bërë të zakonshme.

Thashetheme për Jonën

Jetmiri dhe Erioni shkojnë në dhomën e gjumit dhe pas debatit për rregullat e mirësjelljes me Jonën ata komentojnë dhe bëjnë thashetheme për vajzën. Jetmiri thotë se Jona sillet në një mënyrë jo të zakonshme për moshën e saj, duke e krahasuar me sjelljen e një gruaje në moshë të madhe. Gjatë debatit, Jetmiri përdor një shprehje që bën që Jona të ndihet e ofenduar dhe të debatojë me të. Tashmë ai i thotë Erionit se e përdori qëllimisht atë shprehje, vetëm për të matur karakterin dhe nervozizmin e Jonës. Ai thotë se Jona është ofenduese në mënyrën e të sjellit dhe të folurit. Erioni thotë se nëse Jona do të kishte hyrë më parë në shtëpi, nuk do të kishte vazhduar gjatë me këtë sjellje, sepse vetë banorët do ta kishin nominuar. Jetmiri fillon të krahasojë sjelljen e Jonës me atë të Bertinës, duke thënë se Bertina ishte e zgjuar dhe e edukuar, por nuk sillej si Jona. Jetmiri e quan Jonën “Borgjezja shqiptare” dhe thotë se do ta quajë “Kontesha”.

Mandi, Seldit: Erioni po të provokon

Banori i parë i zgjuar këtë mëngjes është Mandi. Seldi shkon në dhomën e gjumit dhe pasi përshëndetet me Mandin të dy dalin në kuzhinë. Mandi ulet në tavolinën e ngrënies dhe fillon të hajë mëngjesin e gatuar nga Seldi. Të dy djemtë bisedojnë me njëri-tjetrin. Seldi i tregon se ka ndenjur zgjuar gjithë natës, sepse nuk kishte gjumë. Mandi i thotë që të mundohet të jetë i qetë dhe të mos provokohet nga banorët e tjerë. Ai thotë se kishte vënë re që disa prej banorëve po mundohen që ta provokojnë dhe këtu përmend edhe Erionin. Kështu, djemtë bëjnë thashetheme për Erionin. Seldi thotë se Erioni po bëhet si Jetmiri, sepse me të rri gjithë ditën. Mandi thotë se ka vënë re që Erioni ka filluar që të provokojë dhe ai do të mundohet që të flasë me të. Seldi i thotë se nëse flet Erioni, ai do ta përkrahë në mendime, sepse ashtu bën Erioni me të gjithë. Mandi thotë se ka vënë re që Erioni është tip i lëkundshëm dhe kjo gjë nuk i pëlqen tek ai. Ndërsa ata të dy flasin për Erionin, ky i fundit tashmë është zgjuar dhe bisedon me Klodin në dhomën e gjumit.

Thashetheme për Jetmirin

Kika, Seldi dhe Mandi dalin jashtë për të shijuar ditën e ngrohtë. Ata bisedojnë mes njëri-tjetrit duke bërë shaka e thashetheme. Kika duke e komplimentuar Seldin për punën e mirë që ka bërë, i thotë se po e bën ngaqë është në nominim. Mandi e kundërshton, duke shtuar se aktori më i mirë po del Jetmiri. Ata komentojnë edhe një herë ngjarjen e spektaklit. Mandi thotë se Jetmiri po luan duke prekur edhe banorët e tjerë dhe po ndikon edhe tek Erioni. Edhe Seldi fillon të flasë për Erionin duke thënë se ai po bën lojën e Jetmirit. Ndërsa Mandi dhe Seldi flasin për Jetmirin, Kika distancohet në komentet që ata bëjnë. Mandi thotë se gjithsecili nga ata do të mundohet që të kapë pikën e dobët të tjetrit për ta sulmuar më pas dhe për të eliminuar kundërshtarët, të njëjtën gjë që po bën Jetmiri. Kika thotë se nuk është dakord me këtë formë loje. Kika thotë se për të, të sulmosh kundërshtarin në pikat e dobëta nuk është zotësi, apo trimëri, por dobësi nga ana e atij që sulmon në të tilla aspekte.

Kika dhe Mandi sqarohen

Kika dhe Mandi kanë pasur disa përplasje me njëri-tjetrin në javët e kaluara. Tashmë ata mbeten vetëm dhe fillojnë që të diskutojnë për të sqaruar keqkuptimet. Mandi i tregon Kikës se e ka nominuar këtë javë me arsyen se donte të shihte nëse ishte i njëjtë Kika edhe në nominim. Pasi komentojnë kundërvëniet që Kika i ka bërë javë më parë Edit, të dy sqarojnë zënkat dhe debatet që kanë bërë me njëri-tjetrin. Mandi i thotë Kikës se ai nuk i thotë gjërat në sy, por gjithmonë akumulon shumë dhe pastaj shpërthen. Kika i thotë se ai është konfliktuar me Mandin për faktin se kishte vënë re që Mandi edhe me Manalin e Tatianën përdorte ironitë e po ashtu kishte folur edhe me të. Mandi e kundërshton dhe i thotë se ato kanë qenë në formën e shakasë. Më pas jashtë dalin banorë të tjerë dhe biseda e tyre ndryshon drejtim.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›