E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fitosh miliona prej makinave e mushkërive tona!!!

Kur ministri i ri i Ekonomisë, Dritan Prifti, shkoi të prezantonte drejtorin e ri të Inspektoratit Qendror Teknik një lumë vërejtjesh vërshuan nga goja e tij për punën e dobët të këtij inspektorati. Dhe për ta konkretizuar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, ministri përdori vuajtjen e tij prej konsumatori. "Kam blerë një makinë të re dhe jam i detyruar të shkoj gjithnjë e më tepër në servis dhe e gjitha kjo vetëm prej cilësisë së dobët të karburantit", tha pak a shumë Prifti. Mirëpo, situata duket se nuk ka ndryshuar aspak në veprimtarinë e IQT me emërimin e drejtorit të ri, pasi ankesat si ajo që ministri përdori për të argumentuar domosdoshmërinë e ndryshimit të drejtuesve janë shtuar së tepërmi. çdo ditë në koncensionaret e makinave të reja ka ankesa dhe reklamime nga klientë të ndryshëm për mënyrën e funksionimit të makinës. Dhe të gjitha diagnostifikimet e realizuara qoftë këtu në Shqipëri e qoftë në fabrikat "mëmë" nga vijnë makinat nxjerrin vetëm një fajtor: karburantin jashtë çdo standardi. Kemi të bëjmë pra me një dukuri të paperceptueshme në kushte e një shteti normal: nga njëra anë makinat e reja përfaqësojnë teknologji gjithnjë e më të avancuara, nga ana tjetër cilësia e karburantit në Shqipëri i bën ato të "papërshtatshme" për t’u përdorur këtu. Nëse do të pyesësh në IQT, sigurisht do të thonë se karburanti që hyn në Shqipëri është i një cilësie shumë të lartë dhe i garantuar. Kështu thoshte edhe drejtuesi paraardhës, kështu thonë edhe fletët e analizave që kompanitë importuese paraqesin në doganë. Mirëpo, ky pretendim bie ndesh me verifikimin fizik dhe shqisor që bëjnë çdo ditë konsumatorët e këtij produkti, pra me atë që quhet perceptim i klientit mbi cilësinë e produktit. Ankesat dhe reklamimet nëpër subjektet e tregtimit të makinave të reja janë njëri argument që e provon këtë. Por edhe logjika të ndihmon t’i japësh të drejtë pikërisht klientëve në konkluzionin e tyre. Tregu i pakicës së karburanteve është konfiguruar në një mënyrë të tillë ku të paktën, 800 distributorë përfaqësojnë investime të "tepërta", pa asnjë logjikë ekonomike. Konkretisht, Shqipëria numëron rreth 1200 distributorë të tregtimit me pakicë të karburanteve, ndërkohë që me një mirëvendosje të tyre, nevoja është vetëm për rreth 400. Nëse pyet biznesmenët që merren me tregtimin e karburanteve, qoftë me shumicë e qoftë me pakicë, të gjithë të ankohen për keqfunksionim të tregut. Dhe jo vetëm ankohen, por kanë koincidenca mes tyre edhe për mënyrën se si e parashtrojnë situatën problematike që karakterizon tregun ku operojnë, për normat tepër të ulëta të fitimit, për konkurrencën tejet të ashpër etj., etj. Atëherë si mund të mbijetojnë qindra subjekte të tregtimit me pakicë të karburanteve, ndërkohë që sa i takon logjikës ekonomike ato përfaqësojnë investime të gabuara, të keqorientuara, pse jo edhe të dështuara. Përgjigjja është lehtësisht e kuptueshme. Mbijetesa sigurohet nëpërmjet manovrave mashtruese në kurriz të konsumatorit shqiptar. Të atyre manovrave që përkeqësojnë cilësinë e karburantit, që vjedhin konsumatorin nga ana sasiore e të tjera mënyra si këto. Tregtimi i karburanteve pa cilësi e standard, është shoqëruar, ndërkohë edhe me një sërë procesesh të tjera negative, përveç shëndetit të dëmtuar të popullsisë. Duke gëzuar dyshimin e përhershëm të konsumatorëve vetë këta të fundit janë orientuar drejt makinave me një moshë mbi 10-vjeçare, manovër kjo e diktuar nga logjika: shpenzo sa më pak për një makinë, kur nuk di se çfarë karburanti i hedh. Kjo ka sjellë faktin e padëshirueshëm që pjesa më e madhe e inventarit të automjeteve në Shqipëri të dominohet nga kjo grupmoshë. Edhe politikat reformuese në sektorin e tregtimit të makinave kanë qenë të kushtëzuara, pikërisht nga cilësia e dyshuar e karburantit. Pra, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, tregtarët e makinave në përgjithësi, e atyre të reja në veçanti, përbëjnë grupin e dytë të njerëzve që ndihen të viktimizuar nga cilësia e dobët e karburanteve. Pasi kjo do të bëjë të mundur edhe realizimin e reformave në këtë sektor. Standardizimi i cilësisë së karburanteve me normativat e BE-së do të shoqërohet së shpejti edhe me adoptimin e politikave të tilla të ndjekura në BE në tregun e makinave sikurse është p.sh vendosja e standardit euro 4 apo euro 5. E si mund të kryhet ky hap, kur në Shqipëri tregtohet kryesisht diezel i përshtatshëm për traktorë e peshkarexha, për kaldaja e kamionë? Si mund të ndërmerreshin hapa të tillë, kur eurodiezeli, që konsiderohet si naftë cilësore zë vetëm 10-15% të tregut? Kjo është edhe arsyeja pse konsumatori nga ballafaqimi i tij i përditshëm me këta spekulantë është i bindur që po ble mashtrimin, por është i pafuqishëm për të reaguar. Pasi evidentimi i tregtarit të ndershëm dhe ndëshkimi i mashtruesit është një detyrë shumë e vështirë kur i ndershmi është minorancë dhe mashtruesi dominues. Një detyrë e tillë ligjore i takon Inspektoratit Qendror Teknik, mirëpo sa kohë kjo detyrë nuk do realizohet ajo përbën leje që tregtarët karburanteve të fitojnë miliona në dëm të makinave dhe mushkërive tona.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›