“Vizita Juaj në Shqipëri, e pashlyer në memorien tonë”
Kryeministri Berisha i dërgon një letër përshëndetëse zonjës Hilary Klinton
“Nën drejtimin Tuaj të Departamentit të Shtetit, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë shënuan një intensifikim edhe më të madh e forcim të bashkëpunimit frytdhënës në shumë aspekte”
Kryeministri Sali Berisha i dërgon një letër përshëndetëse, ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, zonjës Hilary Klinton, të cilën e falënderon për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe intensifikimin e bashkëpunimit si në kuadrin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal e ndërkombëtar. “E nderuar Sekretare Clinton, e dashur mike, Kam kënaqësinë e veçantë, që, me anë të kësaj letre, t’Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si dhe t’Ju falënderoj nga zemra për letrën që më dërguat me rastin e përfundimit të detyrës si Sekretare e Shtetit e SHBA-së. Nën drejtimin Tuaj të Departamentit të Shtetit, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë shënuan një intensifikim edhe më të madh e forcim të bashkëpunimit frytdhënës në shumë aspekte, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kontekstin rajonal e atë ndërkombëtar”, thuhet në letrën e kryeministrit.
Kreu i qeverisë veçoi si moment historik dhe të pashlyer në memorien tonë, vizitën e ish sekretares Klinton. “Vizita Juaj historike dhe mesazhet thellësisht miqësore e inkurajuese gjatë fjalës Suaj mbresëlënëse në Kuvendin e Shqipërisë do të mbeten të pashlyera në kujtesën e të gjithë shqiptarëve dhe përbëjnë një kontribut tjetër të jashtëzakonshëm për konsolidimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet të dy vendeve dhe popujve tanë miq e aleatë. Ndaj dëshiroj, me këtë rast, që, edhe në emër të çdo qytetari të vendit tim, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta në projektet Tuaja të ardhshme, si edhe t’Ju ripohoj dëshirën time e të të gjithë shqiptarëve për t’Ju mirëpritur në Shqipëri, në çdo kohë, si mike e madhe dhe e shquar e vendit tim dhe e gjithë shqiptarëve”, përfundon letra e kryeministrit Berisha, drejtuar ish Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, zonjës Hilary Klinton.