E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Barroso ne Shqiperi Haxhinasto Nuk kemi asgje te konfirmuar

 Turi i presidentit te Komisionit Europian Jose Manul Barroso në Ballkan nuk do të përfshijë Shqipërinë. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka bërë me dije se nuk ka asnjë axhendë të planifikuar për vizitën e presidentit Barroso në Tiranë më 20 maj. 
“Kjo ka të bëjë me vetë zgjedhjen që bën zoti Barroso, që bën KOmisioni Europian. Është e rëndësishme gjithashtu që vizita e zotit Barroso t’I shërbejë mbi të gjitha integrimit europian të Shqipërisë dhe sigurisht koha e përshtatshme do të jetë atëherë kur energjitë politike të Shqipërisë të jenë të angazhuara totalisht për çështjet e integrimit të Shqipërisë”- u shpreh Haxhinasto. 
Shefi i diplomacisë shqiptare u takua edhe me shefin e misionit të ODIHR-it në Tiranë, Jonatan Stonestreet ku bëri me dije se vlerësimi për zgjedhjet e 8 majit nga faktori ndërkombëtar do të vijë në publikimin e raportit të tretë përfundimtar të OSBE/ODIHR. 
“Kemi folur edhe për Tiranën. Ata gjykimin e tyre do ta japin nëpërmjet raporteve, nëpërmjet raportit të ndërmjetëm të tretë dhe atij përfundimtar, por si çështje parimi kemi rënë dakort që edhe për Tiranën është e nevojshme që procesi të administrohet duke u bazuar tek ligjet ekzistuese që ka Shqipëria, tek kodi zgjedhor që ka Shqipëria aktualisht dhe pastaj partitë politike mund të ndezin emocionet e tyre politike dhe të mbajnë qëndrime të caktuara”- deklaroi Haxhinasto.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›