E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita ne Mal te Zi Kryeministri zbardh projektet mes dy vendeve

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore moderne dhe komode mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ishte një ndër çështjet e trajtuara gjerësisht nga kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë së zhvilluar gjatë pasdites së sotme. Kështu, duke iu referuar pikërisht vizitës së zhvilluar në Mal të Zi, kreu i ekzekutivit shprehu falënderimet e tij për pritjen që iu rezervua në këtë vend. Por, ndalur në marrëdhëniet me Malin e Zi, kryeministri Berisha bëri me dije se gjatë takimeve të zhvilluara atje janë diskutuar hapësirat e reja të marrëdhënieve në fushën e turizmit dhe të lëvizjes së lirë. Ndalur konkretisht në investimet dhe projektet e reja infrastrukturore, Kryeministri informoi për fillimin e ndërtimit të gjashtë kilometrave të parë Muriqan- Ulqin, si dhe u nënshkrua marrëveshje për rikonstruksionin e infrastrukturës Plavë-Guci. Gjithashtu, shefi i qeverisë sqaroi më tej projektet e zhvillimit mes këtyre dy vendeve. “Do shqyrtohet projekti i thellimit të Bunës dhe Bashkia e Shkodrës do ndërtojë mole në Bunë. Në një hark kohor të shkurtër vizitorët kanë mundësi të njihen me dy nga kështjellat më madhështore kështjellën Rozafa e Shkodrës dhe Kështjellën e Ulqinit. Ndaj zoti Ministër dua të fillohet projekti për thellimi ne Bunës”, vlerësoi Berisha. Sipas tij, është mjaft i rëndësishëm dhe krijimi i ansamblit ujor Adriatik-Ulqin-Tivar. “Ulqini, Buna dhe Velipoja janë në vetvete një ansambël nga më të bukurit në brigjet e detrave të Europës, lidhja e tyre është një lidhje e si ansambël ndaj të fillohet menjëherë projekti i urës që kalon Bunën dhe e lidh me zonën tjetër të Ulqinit. Ne po ecim nga Shëngjini në Velipojë, por krahas rrugës që së shpejti arrin në Velipojë, duhet të projektohet me shpejtësi ura, e cila duhet të hapet dhe të lejojë lundrimin”, vuri në dukjue, kryeministri Berisha. Njëkohësisht, investimet Shqipëri-Mal i Zi do të kenë si synim kryesor pikërisht ndërtimin e një kroçiere.Por në vlerësimin e kreut të ekzekutivit një tjetër projekt jo pak i rëndësishëm është dhe ai i hapjes se një pike të tretë kuftiare mes dy vendeve, ajo në Zogaj. Në vazhdën e projekteve ndërajonale, kryeministri Berisha kërkoi edhe avancimin e mëtejshëm të marrëveshjes që ai nënshkroi me homologun maqedonas Gruevski për ndërtimin e hekurudhës Strugë-Lin.
Por një tjetër çështje e trajtuar në këtë mbledhje lidhej me transparencën, ku kryeministri Berisha kërkoi nga ministrat të publikojnë online shpenzimet e kryera dhe çdo akt kontrolli nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas tij, Web-et e ministrive duhet të përmirësohen.
“Çdo akt kontrolli të botohet në faqen zyrtare të institucioneve si një dëshmi dhe vullnet i transparencës së plotë. Transparenca totale e institucioneve është parësore për qeverinë shqiptare", nënvizoi Berisha, sa i takon kësaj çështjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›