E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizitë historike e një kardinali dhe dy ipeshkvinjve amerikanë në Kubë

Filloi në Kubë vizita e kryeipeshkvit të Bostonit, kardinalit Shon O’Mali, së bashku me ipeshkvin e Orlandos (Florida) imzot Tomas Uenski dhe ipeshkvin e Shën Antonit (Teksas), imzot Oskar Kantù. Do të vijojë deri të premten e ardhshme. Në qendër të kësaj vizite - siç nënvizon i ngarkuari i episkopatit për marrëdhëniet me kishat latinoamerikane e karaibike - Atë Endrju Smoll, që shoqëron prelatët - është monitorimi i projekteve të financuara vitin e kaluar me dhurimet e katolikëve të SHBA-ve, në ndihmë të disa dioqezave kubane, për të përballuar dëmet e shkaktuara nga urgani Ajk. Nga 850 mijë dollarët, dhuruar Kishës kubane - saktësoi atë Smoll - 250 mijë u caktuan për të financuar 11 projekte për rindërtmin e zonave të shkatërruara.
Prej vitesh ipeshkvijtë amerikanë shkëmbejnë vizita me ipeshkvijtë kubanë. Vitin e kaluar, pas uraganeve, një grup ipeshkvijsh amerikanë vendosën ta vizitojnë personalisht Ishullin, për të parë me sytë e tyre dëmet dhe nevojat që, siç vërejtën, arrinin në 10 milionë dollarë. Ndërsa tani po vlerësojnë hapat para e bëra për lehtësimin e gjendjes së personave të dëmtuar, gjest që flet për afrimin e dy vendeve, jo shumë kohë më parë, kundërshtare. Të dyja kishat dëshirojnë t’i thellojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit, që ekzistojnë prej vitesh, sepse nuk i lidhin vetëm ndihmat, por edhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme, me bindjen se mënyra më e mirë për t’u mirëkuptuar, është ajo e komunikimit. Por ish-presidenti Fidel Kastro, nënvizon se ndihma kryesore, që mund t’i jepet Kubës, është heqja e embargos amerikane, vendosur prej më se një gjysëm shekulli mbi Ishullin, në burgjet e të cilit ka ende të burgosur politikë.
Benedikti XVI: “Zoti u kërkon të gjithëve ta mirëpresin’ e fton ‘për t’ua hapur zemrën nevojtarëve”/“Zoti i kërkon secilit nga ne ta mirëpresim”: Këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, duke shpjeguar se ajo që i ndodhi Marisë, vlen për çdo burrë e për çdo grua. Më pas, një ftesë për ta mbajtur të hapur portën e zemrës për më nevojtarët:
“Nuk mund të mos prekemi nga ky përkim, që lidhet me simbolin e qiellit: Maria u ngjit në qiell, në vendin nga i cili kishte zbritur i Biri”.
Zoti mori nga Maria trupin njerëzor, për të hyrë në kushtin tonë të vdekshëm – shpjegoi Papa. Kur arriti në fund të jetës tokësore, Zoti e ngjiti korpin e Virgjërës Mari në qiell, duke e bërë të hyjë në kushtin qiellor. Prej këndej, Benedikti XVI i ftoi besimtarët për këtë reflektim: “Është një lloj shkëmbimi, në të cilin Zoti ka gjithnjë nismë të plotë, por, në një farë mënyre, ka edhe nevojë për Marinë, që të përgatisë lëndën e flijimit të Tij: korpin e gjakun, për t’i dhuruar mbi kryq, si mjet të jetës së pasosur e, në sakramentin e Eukaristisë, si shujtë e si pije shpirtërore”. Zoti na fton të bashkohemi me Të në sakramentin e Eukaristisë, për të formuar së bashku Kishën, Bukë e thyer për jetën e botës. Eukaristia - theksoi Papa - është mjeti i këtij shndërrimi reciprok, në të cilin Zoti është gjithnjë cak e autor kryesor: “Ai është Kryet e ne gjymtyrët, Ai hardhia, ne shermendët. Kush ha nga kjo bukë e jeton në bashkim me Jezusin duke e lënë veten të shndërrohet nga Ai e në Të, shpëton nga vdekja e amshuar: vdes si të gjithë, duke marrë pjesë edhe në misterin e mundimeve e të kryqit të Jezusit, por nuk është më skllav i vdekjes e do të ringjallet në ditën e mbrame, për të gëzuar festën e amshuar me Marinë e me të gjithë Shenjtorët”. Nëse edhe ne themi ‘po’ si Maria - shtoi Papa - pranohemi në hyjninë e Atij, që pranoi të bëhej njeri, si ne: “Ky mister i jetës së amshuar nis që këtu, mbi tokë: është mister feje, shprese e dashurie, që kremtohet në liturgji, posaçërisht në atë eukaristike e që shprehet në bashkimin vëllazëror e në shërbimin ndaj të afërmit. Ta lusim Zojën e Bekuar të na ndihmojnë që të ushqehemi gjithnjë me fenë e Bukës së jetës së pasosur, për ta provuar që në tokë, gëzimin e qiellit”. Pas lutjes mariane, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në gjuhën frënge Papa iu drejtua posaçërisht të rinjve të ardhur nga Afrika e, më pas, gjithë të pranishmëve, duke i ftuar ta mbajnë të hapur portën e zemrës e të jenë ditë për ditë dëshmitarë të dashurisë së Zotit për të gjithë njerëzit, që kanë nevoja materiale ose shpirtërore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›