E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e Edvinit, një krim që nuk do infektojë ekonominë shqiptare

Me deklarata haluçinante, veglat e Ramës shpallën dje një krizë të re ekonomike, por kryetari mandatprerë i PS-së nuk mundet që ta ngatërrojë krizën personale me krizën ekonomike e as të kryejë krimin shtetëror të dëmtimit të turizmit, vetëm për shkak të gjendjes së tij të dëshpëruar politike

TIRANE – “Shqipëria nuk është në krizë ekonomike. Në krizë të thellë shpirtërore dhe politike është z. Rama për humbjen e mandatit të tij”.
Nëpërmjet kësaj deklarate, PD-ja ka hedhur poshtë pretendimet disa mujore të PS-së për një krizë ekonomike në Shqipëri.
“Kryetari mandatprerë i Partisë Socialiste, krizën e Partisë së tij dhe krizën personale u përpoq ta shpreh me zëdhënësit e tij si një krizë të përgjithshme ekonomike. Ky është një nga trillimet më bajate të këtij humbësi të madh, pra të z. Rama, i cili nga nëntori i vitit të kaluar e gjeri sot nuk flet për gjë tjetër përveçse për krizë ekonomike në Shqipëri”, u shpreh dje për mediat  zëdhënësja e PD-së.
Duke hedhur më tej poshtë pretendimet e PS-së, mes shifrave zëdhënësja e PD-së, bëri të ditur vijueshmërinë normale të prokurimeve publike dhe të investimeve.
“Lidhur me pretendimet e sotme i bëjmë me dije kryetarit mandatprerë, se prokurimet publike në 6 mujorin e dytë të vitit jo vetëm që nuk janë ndërprerë, por vetëm gjatë muajit korrik dhe fillimit të gushtit janë tenderuar ndërtimi dhe rindërtimi i 316 shkollave në mbarë vendin, i qindra kilometrave rrugë dhe i dhjetëra e dhjetar ujësjellësve e kanalizimeve si dhe janë tenderuar një sërë prokurimesh të tjera, duke saktësuar se, Shqipëria nuk është në krizë ekonomike. Në krizë të thellë shpirtërore dhe politike është z. Rama për humbjen e mandatit të tij”.
Gjithmonë përmes shifrave, zëdhënësja e PD-së, sqaroi pse Shqipëria nuk është në krizë ekonomike. “Vetëm në këtë korrik, Shqipëria është vendi i vetëm me rritje 36 për qind të turizmit krahasuar me Korrikun e vitit të kaluar, dhe se Korridori i Kombit, të cilin z.Rama e shpalli si korridorin e asgjëkundit, ka dyfishuar kalimin nga pika e Morinës. Shqipëria nuk është në krizë, por në krizë ai ka zhytur Rama Partinë Socialiste sepse ekonomia shqiptare ka një rritje mbi 6 për qind dhe të ardhurat buxhetore të këtij viti janë rreth 8 për qind më të mëdha se të vitit të kaluar”, bëri të ditur zëdhënësja e PD-së.
Duke u ndalur edhe tek pretendimi tjetër i PS-së, sipas të cilit qeveria nuk paguan kompanitë private për punët dhe shërbimet e kryera nga ato me fondet publike, zëdhënësja e PD-së, bëri të ditur se një moskorrektësi e tillë, vihet re vetëm nga bashkia e Tiranës. “Mund të ketë vërtet kompani të kontraktuara nga bashkia e Tiranës që z. Rama nuk i paguan, por nuk ka asnjë situacion të çertifikuar të papaguar nga mazhoranca aktuale.
Si përfundim i themi Mr.Krizës se Shqipëria me gjithë dëshirën tënde të madhe ka lënë krizën vetëm në shpirtin e psikologjinë tënde”, përfundoi zëdhënësja e PD-së.
Reagimi i djeshëm i PD-së, erdhi pas pretendimit të përsëritur të PS-së, të shprehur nëpërmjet Mimi Kodhelit, anëtares së kryesisë dhe deputetes së kësaj partie, sipas së cilës Shqipëria ndodhet në krizë ekonomike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›