E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhësit e fëmijëve në festivalin free style

Në edicioni i 47-të i Festivalit të Këngës për Fëmijë ranë në sy: tekste të varfra, interpretimi me playback, prezantimi patetik, organizimi jo serioz. Të njëjët kompozitorë si për të rritur, edhe për fëmijët


Të dielën u mbaj në Akademinë e Arteve finalja e edicionit të 47-të të "Festivalit të Këngës për Fëmijë", që duhej të ishte një nga ngjarjet kulturore më me rëndësi të vitit që "shteti" nëpërmjet Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, bën për fëmijët.


Aty nga ora 19.00, me zor u vendos qetësia mes fëmijëve spektatorë dhe atyre protagonistë, që nuk kishin droje të shprehnin gëzimin dhe emocionet në skenën e madhe para moshatarëve, prindërve, mësuesve.


"Jemi në një skenë të mbushur me pranverë zërash optimistë", e përshkroi me të dalë në skenë atmosferën prezantuesja Matilda Mecini, që shoqërohej në skenë nga Klajd Mahmutaj, nxënës i Qendrës. Mahmutaj dukej më spontan se partnerja, dhe jo një herë tentoi t'i besonte kujtesës dhe t'i shkëpuste sytë nga skenari i Jorgo Papingjit.


Ishte po e njëjta mënyrë, që duket e vjetër tanimë, e prezantimit të këngëve të festivalit, fjalitë, dialogu, pyetjet e spikerëve drejtuar spektatorit para prezantimit të këngës zbulonin pak nga teksti i saj, shkëpusnin ndonjë fjali apo titullin.


Kishte raste që fjalitë e konferencieres tingëllonin edhe qesharake. Ja për shembull: "Kalamaja e di çfarë do të bëjmë tani?" apo "S'ka fëmijë që nuk ka vrapuar pas xixëllonjës. Madje kështu kanë bërë edhe Alfred Kaçinari dhe Mimoza Bici kur kanë qenë të vegjël".


E këto ishin të natyrshme në këtë "buqetë të bukur që quhej Festivali i Këngës për Fëmijë"


Por, jemi akoma te fillimi i asaj që duhej të ishte festë fëmijësh e që doli një imitim i deformuar i botës së të rriturve.


Tekstet e këngëve ishin një mjerim. Me ato që dëgjuan aty jo vetëm që jemi fare tek krijimtaria e teksteve për këngë, por ç'është më e rëndësishmja që nuk kanë të bëjnë me botën e fëmijës. Autorët e kësaj pune ishin:


Jorgo Papingji, Mimoza Tole, Ermir Nika, Xhelil Ymeri, Kristi Popa, Xhelil Tafaj, Edmond Veizi, Miron Kotani, Arben Duka, Hamdi Meçe, Matish Gjeli, Vilson Gjoça, disa prej tyre pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në Radio-televizion. Korrupsioni, trafiku, interneti, telefoni celular ishin motive bazë, me ndonjë këngë për atdheun nëpër të.


Me vargjet e Naimit "Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar/zemrën ti ma gatove/plot me dëshirë dhe me zjarr", ishte krijuar një këngë që me titullin "Më dha emrin Shqiptar" "e shkruar" nga Mimoza Tole dhe muzikë të Nexhmedin Dokos.


E prapë autorët, sikur të mos kenë qenë ndonjëherë fëmijë, mbronin idenë se tekstet e këngëve dilnin nga bota e fëmijëve! E kjo botë përkthej në tekstet e këngëve kështu: "humba krejt në internet", "fshehur mamit bëj pak tualet", "korrupsion e ke kot nuk të shkon, brezi ynë nuk të pranon".


E për t'iu përshtatur këngës "Çfarë na qenka korrupsioni" me muzikë të Sokol Marsit, tekst të Jorgo Papingjit, këngëtarja Angjela Hodaj kish veshur një pelerinë pis të zezë dhe në kokë mbante një kapelë po të zezë dhe bënte lëvizjet e një të rriture.


Kujtojmë se Marsi ka bërë një këngë shumë të mirë për Anjeza Shahinin në Dhjetorin e shkuar. Kështu u shfaq për spektatorin edhe e vogla Doreta Biba me këngën "Vallëzoni me mua", me tekst dhe muzikë të Edmond Veizit. Teksti fliste për dëshirën e një fëmije që kërkon të "Jetë një yll i ri" në skenë. Vajza i kishte përshtatur këngës një kërcim në ritme ça-ça-ça, duke u bërë para syve tanë 20, 30, 40, 50 vjeç.


Kënga fituese e vendit të parë "Prit sinjalin, pastaj ik" me muzikë të Edmond Zhulalit dhe tekst të Jorgo Papingjit (Zhulali ka disa kohë që fiton festivalin e RTSH një vit po e një vit jo) ishte një manual për njohjen e semaforit. Refreni thotë: "Me të kuqen do ndalosh, me të verdhën përgatitu, me të jeshilen shpejt kalo."


Muzika e këngëve qëndronte më lart se tekstet, por niveli i këtyre të fundit ishte aq i dobët sa e korruptonte edhe muzikën vetë. Fjala është për: "Kush e gjen, Kush e gjen?!" e kompozuar nga Kristi Popa (kujtojmë se Popa fitoi vendin e tretë në festivalin e RTSH 2009),


"Xixëllonja" me muzikë të Alfed Kaçinarit, "Princeshë unë jam" me muzikë të Miron Kotani, "Gjeli ynë është vallë tenor?" me muzikë të Adrian Hilës, "Prit Sinjalin pastaj ik" e Zhulalit, "Jemi një, s'jemi dy" e Klodian Qafokut.
Siç kishte këngë që në notat e para ndjeje se nuk ishin autentike.


E gjejmë me vend konstatimin e aktorit Leonard Bombaj kur pohon se: "Ka nevojë të shkunden emrat e mëdhenj për t'i dhënë fëmijëve atë që ata duan, jo atë që ne vetë shkruajmë në emër të tyre."


Interpretimi jo "live" është një infeksion që është përhapur nga të mëdhenjtë tek të vegjlit. Autorët e muzikës i kishin punuar këngët nëpër studio muzikore dhe në skenë funksionoi praktika e shëmtuar e playback-ut, praktikë e gjoja spektaklit.


Në këto kushte, i vetmi kriter vlerësues për fëmijët do të ishte interpretimi, që jo në pak raste çaloi. Me korin e fëmijëve nuk kishte punuar njeri. Ata lëviznin vetëm buzët kur interpretonte solistja, e kur harronin apo lodheshin, bisedonin me shoku-shokun. Mungonte dora që t'i drejtonte.


Po kështu edhe veshjet: një festival free style. Forma dhe ngjyra çfarëdo. Nga fustanet deri tek pantallonat xhins, bluza me shkronja të mëdha dhe kapela me strehën mbrapsht në stilin e rrugës.


Kësilloj aktiviteteve u vihet vula shpesh nga organizatorët si të suksesshme dhe pa e menduar dy herë lëshohet fjala: "aktiviteti më i arrirë ndër vite". Çorbë që s'gëlltitet.
Nga 20 këngët e festivalit, juria e përbëra nga Zhani Ciko, Fatmir Hysi, Myfarete Laze, Luljeta Lleshanaku dhe Olta Boka vlerësoi me çmim të parë këngën "Prit sinjalin pastaj ik" me muzikë të Edmond Zhulalit, tesk të Jorgo Papingjit, e interpretuar nga Klea Kasemi. Me çmim të dytë "Xixëllonja" me muzikë të Alfred Kaçinarit, tekst të Mimoza Bicit, e interpretuar nga Melisa Lena dhe Uendi Mancaku.


Çmimin e tretë e mori kënga "Gjeta një zanat të ri 'Dembeli'" e interpretuar nga Igzidora Gjeta, muzikë të Xhavit Ujkanit, tekst të Jorgo Papingjit.
U vlerësua me çmim special autori Jorgo Papingji.


Drejtori i festivalit ishte Flamur Shehu, udhëheqës artistik Xhavit Ujka (fitues në festival. Po kush i mban llogaritë për konflikte interesi në festivale për vogëlushë? Drejtor organizativ Nigda Dako dhe regjisore Klaudja Hila.


Dy pyetje për Kristi Popën
A u shkojnë fëmijëve këngët për korrupsionin?


Nuk i kam dëgjuar të gjitha këngët, por nëse ka qenë kështu, gjithsesi nuk është ndonjë gjë edhe aq negative. Fëmijët ndoshta në mënyrë inkoshiente e kuptojnë problemin, ndofta nuk mund të jenë aq të zotë sa të rriturit për t'i dhënë atë kuptueshmërinë se çfarë është korrupsioni, se çfarë është trafiku."


Por në këngën tënde ama kishe preferuar natyrën, aventurat, ëndrrën?


Kështu preferova kësaj radhe dhe besoj se kam zgjedhur diçka të veçantë sepse është më mirë kështu. I ngrita një himn natyrës, vazhdoj me natyrën.



Opinione për festivalin
Leonard Bombaj: Fëmijët, më të talentuar se kompozitorët


"Më vjen mirë që ka emra shumë të njohur që vazhdojnë të marrin pjesë dhe të shkruajnë për fëmijët. Por, mendimi im përfundimtar është që fëmijët janë më të talentuar sesa kompozitorët. Ka nevojë akoma të shkunden emrat e mëdhenj për t'i dhënë fëmijëve atë që ata duan, jo atë që ne vetë shkruajmë në emër të tyre."


Jorgo Papingji: Shkruaj për gjëra të vërteta


Kur ulem për të shkruar për fëmijë, unë jam fëmijë. Po të më njohësh në jetën time të përditshme, unë jam nga ata që ndaloj atje ku luajnë fëmijët, ndaloj në zënkat e tyre, dëgjoj çfarë fjalësh thonë, çfarë dëshirash kanë, çfarë frekuentojnë më tepër, çfarë kontradiktash kanë me prindërit, me shokët.


Mbaj gjithmonë me vete një bllok, shënoj dhe të gjitha pastaj kërkoj t'i kthej në këngë. Ato këngë që shkruaj janë të suksesshme sepse janë të vërteta, janë të prekshme dhe janë për fëmijë.


Xhavit Ujkani


"Janë me të vërtetë këngë fëmijnore, me të vërtetë këngë të bukura. Përshkruajnë botën e fëmijëve në të gjitha aspektet, duke filluar që nga dashuria për atdheun, që nga loja për fëmijë. Tematika është tepër tepër e larmishme.


Kishte tema të tilla që i këndoheshin gjelit tenor. Kishte tema që i këndohej korrupsionit, kishte këngë që thoshin: "ha e pi, e fli, e rri", për dembelin. Ajo është kënga ime, që u vlerësova me çmimin e tretë. Me këtë këngë bëra shaka, por nuk jam i tillë."

Suela Tukaj (arsimtare)


"Festivali ishte i këndshëm. Kishte këngë që jepnin mesazh. Pak a shumë 5-6 këngë më pëlqyen. Të tjerat pastaj ishin në nivel mesatar. Janë fëmijë të talentuar në përgjithësi. Shpresoj që në të ardhmen të bëjmë gjëra edhe më të bukura."

Marta Tusha (prind)


"Këngët në përgjithësi ishin me nivel. Nuk dije kë të përcaktoje më parë. E fitoi ajo që e meritoi. Sokol Marsi kishte një këngë shumë të bukur, po ashtu Klodian Qafoku Kënga e Sokol Marsit ishte për korrupsioni, dihet që në Shqipëri ekziston. Për fëmijët nuk përshtaten, por i prekin këto gjëra. Po i dëgjojnë në lajme, kudo."


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›