E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 2 kg heroinë, një në pranga

OPERACIONET/ Në Vlorë policia ka arrestuar dy vëllezër nga fshati Velçë, teksa ka gjetur në një stan 80 kilogram lëndë e dyshuar si kanabis sativa


Bllokohet droga që synonte Greqinë, përfundon në pranga një person. Plot 2 kilogramë heroinë e pastër e fshehur në një mjet me targa ta huaja ka rënë në duart e policisë juglindore në vendkalimin kufitar të Kapshticës gjatë mbrëmjes së të martës.


Policia kufitare në bashkëpunim me sektorin antidrogë në Drejtorinë e Policisë në Korçë bashkë me sekuestrimin e sasisë prej 2 kilogramë të heroinës ka bërë të mundur dhe prangosjen e një të riu, banor i qytetit të Korçës.


Arrestimi i trafikantit që ishte duke udhëtuar drejt Selanikut është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë lokale, të cilat thanë se në këtë aksion është arrestuar transportuesi i drogës, shtetasi Arsen Lumani. Sasia e lëndës narkotike është gjetur dhe bllokuar në automjetin me targa të huaja FA 1982 në pronësi të 22-vjeçarit.


Sipas policisë, ky person e kishte fshehur drogën në automjetin e tij me të cilin po tentonte kalimin e kufirit në drejtim të Greqisë për ta dorëzuar atë tek një grup trafikantësh në qytetin e Selanikut. Ndalimi i të riut mbi të cilin rëndon akuza e "trafikimit të lëndëve narkotike" u bë i mundur rreth orës 18:30 në Kapshticë, teksa i arrestuari Arsen Lumani, banor i lagjes 8 në Korçë ishte duke kryer procedurat për të hyrë në Greqi.


Pas informacioneve të siguruara më parë është bërë kontrolli i mjetit në tokën shqiptare ku është zbuluar dhe sasia e drogës. Lënda narkotike, bëjnë të ditura burimet e policisë, ishte fshehur në pjesën e pasme të mjetit tip "Audi 80" me ngjyrë të zezë me targë FA 1982 dhe ishte paketuar në dy qese me nga 1 kilogram secila.


Pasi transportuesi i heroinës ka ndier rrezikun, ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur për shkak të forcave të shumta policore që e kishin nën mbikëqyrje.


Ndërkohë po dje policia e Vlorës, sekuestroi një sasi prej 80 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sattiva, ndërkohë që ndaloi dy persona të dyshuar. Drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Ylli Metko, bëri të ditur se lënda narkotike u zbulua në një stan në afërsi të fshatit Velçë në komunën Brataj, 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës


Sipas Metkos, gjatë këtij aksioni të uniformave blu u siguruan provat dhe u realizua ndalimi i dy vëllezërve, Gëzim dhe Muslli Qikaj, banorë të fshatit, të cilët dyshohet se kanë lidhje me këtë sasi lënde narkotike.


Kjo është sasia më e madhe e lëndës narkotike që ka sekuestruar policia e Vlorës, gjatë këtij viti. Paralelisht me këtë po punohet për evidentimin e parcelave ku është kultivuar bimë narkotike kanabis në zona të ndryshme të këtij rrethi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›