Vjedhja e biletave, pagesat kryheshin me sms
Prokuroria zbardh mekanizmin e vjedhjes së kartave të kreditit të grupit të arrestuar dy ditë më parë në kryeqytet
Një prej të arrestuarve, pushime ekzotike në Spanjë dhe relaks në hotele e restorante luksoze
TIRANË- Dy ditë pas arrestimit të grupit të personave prej tetë vetësh të akuzuar për mashtrime kompjuterike me pasoja të rënda financiare ndaj subjekteve dhe kompanive private të fluturimit, prokuroria zbardh disa prej mekanizmave të vjedhjes së realizuar nga të dyshuarit tashmë të izoluar me masën e arrestit burg pa afat.
Një ndër këto mekanizma ishte dhe komunikimi me telefon mes pronarëve dhe administratorëve të agjencive të udhëtimeve dhe personave që posedonin kodet e kartave të kreditit të personave me banim në vendet perëndimore kryesisht në SHBA.
Sipas burimeve të policisë, menjeherë sapo dikush bënte pagesën në agjenci për të blerë biletën e udhëtimit, administratorët ia kalonin nr e serisë së biletës së udhëtimit bashkëpunëtorëve të tyre, dy kosovarëve, Zenel Buzhala dhe Ken Koromani, të cilësuar nga hetuesit si organizatorët kryesorë të vjedhjes.
Pasi i merrnin edhe të dhënat e tjera të udhëtuesve, të dyshuarit kryenin pagesat e biletave nëpërmjet internetit duke përdorur kartat e kreditit. Këto sipas hetuesve rezultojnë të jenë të klonuara, pasi nëpërmjet llogarive bankare të tyre kryheshin pagesat për blerjet.
Ndërkaq, kodet dhe numrat e llogarive të kartave të kreditit që përdorte Buzhala dhe Koromani, dyshohet se i kanë marrë nga një person me shtetësi bullgare i cili pritet të verifikohet nga organet e prokurorisë.
Zenel Buzhala, 39 vjeç, nga Kosova, banues në Tiranë dhe Ken Koromani, 45 vjeç, nga Presheva me banim në Tiranë, dyshohet se kanë qenë "truri" i gjithë organizmit të klonimit të kartave të kreditit dhe prerjes on-linë të biletave të udhëtimit.
Mësohet se Buzhala për çdo blerje bilete nga qytetarë të ndryshëm i thyente kodet dhe i blinte ato me karta të kreditit të kompjuara ku viktimat ishin kryesisht shtetas amerikanë. Mësohet se njëri prej të arrestuarve ka kryer udhëtime edhe vetë për në Spanjë duke prenotuar bileta dhe restorante dhe hotele të klasit të lartë dhe duke kryer pagesat me karta kreditit të klonuara.
Operacioni "Concord", nisi mëngjesin e të hënës me arrestimin e tetë personave të dyshuar për mashtrim kompjuterik dhe shoqërimin e tyre nga qendrat e punës dhe nga banesat e tyre, duke iu sekuestruar si provë materiale, para, kompjutera, bileta, karta krediti dhe sende të tjera.
Hetimet e deritanishme të Policisë dhe Prokurorisë, ndaj tetë personave të arrestuar gjatë operacionit të koduar me emrin "Concord", është provuar se kartat e klonuara janë të personave të huaj, dhe të dëmtuarit të gjithë janë shtetas jo shqiptare.
Po kështu është verifikuar se flasifikimi i kodeve të kartave është kryer edhe ndaj shtetasve britanikë dhe gjermanë. Nga hetimet e përbashkëta midis Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë, dyshohet se nga ky aktivitet i paligjshëm janë dëmtuar pjesa më e madhe e shoqërive ajrore që operojnë në Shqipëri, por njëra prej tyre ka pësuar një dëm konsiderueshëm. Në total, dëmi mësohet se kap shifrën e 115 mijë eurove, ndërsa policia ka administruar më tepër se 100 raste të vjedhjes dhe dëmit ekonomik nëpërmjet kësaj afere.