E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Me aparatura cilësore çlirojmë mjekësinë nga rutina

Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

Komunikim të vazhdueshëm dhe unifikim të metodave kirurgjikale dhe, në spitalet rajonale, përsosje e gamës së aparaturave mjekësore, vetëm kështu do të mund të çlirojmë mjekësinë elitare terciale nga rutina dhe ti japim mundësi të realizojë objektivat shkencorë. Me këto fjalë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, iu drejtua një auditori të gjerë mjekësh kirurgë, në hapje të konferencës kombëtare të kirurgjisë, mbajtur në Tiranë. Ai shtoi se me ndryshimet dhe investimet e fundit, kryesisht në teknikën mjekësore, është bërë e mundur që të thyen edhe tabu. Shërbimi i kirurgjisë është një shërbim jetik. Për rikuperimin që i siguron pacientit, ai mbetet një shërbim vital dhe i pazëvendësueshëm. Madje, ai mund të konsiderohet pa frikë si një krenari e sistemit shëndetësor në tërësi, pasi eficienca dhe rezultatet që ka dhënë, e bëjnë të tillë, tha Vasili. Ai shtoi se unifikimi i teknikave kirurgjike mbetet prioritet edhe në spitalet rajonale. Po dje, ministri i Shëndetësisë  dhe Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Wolfgang Waldner, kanë vizituar Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, për të ndjekur nga afër ecurinë e projektit të kredisë austriake që po zbatohet në këtë klinikë. Vasili i ka cilësuar tri projektet e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë si histori suksesi. Ministri vuri në dukje tendencën në rritje të këtij bashkëpunimi dhe shprehu bindjen për zgjerimin e tij në të ardhmen. Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe siguroi për mbështetjen e palëkundur të Austrisë në integrimin europian të Shqipërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›