Vjedhja nga pikat e karburanteve, vetëm Berisha nuk e dinte!
Pas 8 vitesh në pushtet, kryeministri në ikje, Sali Berisha, ka mësuar se pikat e karburantit vjedhin në peshë gjatë furnizimit të automjeteve!
Ai ka reaguar për herë të parë ndaj këtij fenomeni në mbledhjen e parafundit të qeverisë, duke kërkuar publikimin e emrave të kompanive që abuzojnë.
Zoti Mima, dëgjojmë në lajme se kontrolli i cilësisë së karburantit ka nxjerrë në pah faktin se disa nga ato stacionet e karburantit i kanë cilësitë përtokë. Por popullit i thonë se ligji nuk na i lejon që ti bëjmë publike. Do të sjellësh me urgjencë, do të dekretojmë një akt normativ, për të hequr këtë pengesë. Çdo qytetar le ta marrë vesh se kush i bën hile dhe kush nuk i bën hile. Ai merr dhe përzien naftën me naftë pusi dhe në do ti themi prit se e ruajmë ne sekretin. Jo, nuk do të ketë asnjë sekret, tha Berisha në mbledhjen e qeverisë, edhe pse në fakt, Drejtoria e Metrologjisë bënte fjalë për vjedhjen në peshë.
Vjedhja nga pikat e karburantit është denoncuar me kohë. Madje, kur u emërua ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti shprehu se për tu punësuar në Drejtorinë e Metrologjisë, institucion që kalibron pajisjet matëse, i kishin ofruar 10 mijë euro.
Por, vetëm Berisha nuk dinte gjë për këto abuzime! Ai e ka marrë vesh këtë gjë vetëm pas 8 vitesh qeverise dhe në prag të largimit nga qeveria!
Sipas një aksioni të kryer nga Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit ditët e fundit, rezulton se rreth 11 për qind e pikave të karburantit abuzonin me peshën.