Vjedhja "online" e shoqërive ajrore, 8 në pranga

Policia arrestoi me urdhër të prokurorisë administratorët e agjencive të udhëtimeve, shisnin biletat me çmime të lira
Hetimi nisi në muajin shkurt, ndërsa policia ka administruar më tepër se 100 denoncime me një dëm prej 115 mijë eurosh
TIRANE- Tetë persona të dyshuar si autorë të vjedhjes nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, shitjen e biletave të udhëtimit të klonuara dhe pagesës së biletave reale me karta krediti të klonuara, u arrestuan dje nga Policia e kryeqytetit, gjatë operacionit të koduar "CONCORD".
Veç arrestimit të tyre, edhe 6 persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të të arrestuarve u shoqëruan në ambientet e policisë duke u marrë në pyetje nga hetuesit.
Lajmi u komunikua dje nga policia e Tiranës gjatë një konference për shtyp të dhënë dje pasdite, pak kohë pas përfundimit të këtij operacioni të përbashkët të policisë së kryeqytetit, njësisë hetimore të Antikrimit Ekonomik të Prokurorisë, i realizuar nga Njësia operacionale e drejtorisë së qarkut.
Zenel Buzhala, 39 vjeç, nga Kosova me banim në Tiranë, Ken Koromani, 45 vjeç, nga Presheva me banim në Tiranë me shtetësi serbe dhe shqiptare si dhe Arjan (Urim) Troka, 38 vjeç, pronar i një agjencie turistike dhe të shitjes së biletave të udhëtimit me avion, sipas burimeve të policisë, janë tre personat kryesorë të dyshuar të këtij grupi mashtruesish. Koromani është arrestuar në momentin kur po dërgonte me mjetin e tij një çift në drejtim të Maqedonisë të cilët ishin gjithashtu posedues të një bilete të klonuar.
Të arrestuarit e tjerë janë Ilir Arapi, 45 vjeç, banues në Tiranë, Erjon Jaupllari, 22 vjeç, Etleva Minxhozi, 44 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjithë pronar të agjencive të ndryshme të udhëtimeve. Të gjithë ata, sipas burimeve të policisë, akuzohen për mashtrim kompjuterik, nëpërmjet kartave të kreditit të klonuara dhe prodhim të biletave të udhëtimit të shoqërive ajrore të falsifikuara.
Mashtrimi
Nga hetimi disa mujor i policisë dhe i prokurorisë është provuar se personat e mësipërm, merrnin para nga klientë të ndryshëm të cilëve iu jepnin një biletë të vlefshme udhëtimi.
Më pas pagesat drejt kompanive të fluturimeve i kryenin nëpërmjet kartave të kreditit të klonuara, të siguruara nga Ken Koromani me banim në Tiranë me origjinë nga Presheva. Ky sipas burimeve të policisë, kishte mundur të siguronte informacionin e kartave nëpërmjet aftësive të tij, për të depërtuar në këto sisteme dhe duke i prodhuar më pas.
Në bileta dhe në sistemin e pagesës së tyre shënoheshin numrat e serive të kartave të kreditit që ishin lëshuar në vendet perëndimore kryesisht në SHBA, por poseduesit e tyre nuk kishin udhëtuar asnjëherë me pagesën që ishte bërë në realitet nëpërmjet kartës së tyre.
Ndërkaq, një mënyrë tjetër e shitjes së biletave ishte edhe ajo e klonimit të biletave të cilat nëpërmjet informacionit të marrë nga rrjetet kompjuterike të shoqërive ajrore të fluturimeve, printoheshin dhe iu shiteshin klientëve me çmime shumë herë më të lirë nga sa ato ishin në të vërtetë.
Në këto raste sipas burimeve të hetimit, paratë e arkëtuara të biletave, nuk depozitoheshin në arkat e kompanive të fluturimit, por shkonin në xhepat e administratorëve të agjencive të udhëtimit nga edhe ishin lëshuar biletat. Veprime të tilla iu kanë shkaktuar kompanive të udhëtimit më tepër se 115 mijë euro dëm ekonomik, thuhet në njoftimin e policisë së kryeqytetit.
******************
Policia: kemi pamje filmike dhe prova bindëse
Në muajin shkurt të këtij viti, Policia e Shtetit dhe Njësia e Antikrimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, administruan kallëzime të ndryshme nga disa kompani ajrore që vepronin në vend se persona të ndryshëm kishin mashtruar duke kryer blerje të ndryshme biletash, por agjencitë nuk i kishin paguar paratë, apo edhe se numrat e serive të kartave që kishin kryer blerje ishin të personave që s'kishin kryer një blerje të tillë në të vërtetë.
Pas hetimeve, njësia operacionale e policisë së kryeqytetit, ka siguruar prova dhe fakte bindëse që përfshinin të arrestuarit në mashtrimin për të cilin ata akuzohen. Burimet pohuan se gjatë vëzhgimit, njësia përkatëse ka mundur të sigurojë prova të shumta si pamje filmike dhe përgjime të ndryshme telefonike ndaj të dyshuarve.
Po kështu specialistët e kibernetikës në Policinë e Shtetit kanë siguruar prova të ndryshme të gjurmëve të lëna në kompjuterët e të arrestuarve lidhur me blerjet e kryera prej tyre.
Operacioni nisi mëngjesin e djeshëm me arrestimin e të dyshuarve dhe shoqërimin e tyre nga qendrat e punës dhe nga banesat e tyre, duke iu sekuestruar si provë materiale, para, kompjutera, bileta, karta krediti e sende të tjera.
Ndalimi i të dyshuarve nga policia është kryer në një kohë të shpejtë duke iu lënë pak mundësi të dyshuarve që t'i shpëtonin policisë apo të komunikonin me njëri- tjetrin. Në orën 12:00 të ditës së djeshme, gjithçka ishte e përfunduar nga njësia operacionale e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, pasi të gjithë personat për të cilët kishte urdhër arreste ishin në duart e hetuesve.
Madje veç personave të arrestuar, në polici kanë përfunduar edhe 6 persona të tjerë, statusi i të cilëve ende është i paqartë nëse do të ndaloheshin, do të dërgohesin për hetim në gjendje të lirë, apo se nuk kishin përgjegjësi penale për këtë histori.
Të arrestuar
Zenel Buzhala, 39 vjeç, nga Kosova banues në Tiranë
Ken Koromani, 45 vjeç, nga Presheva me banim në Tiranë
Arjan Urim Troka, 38 vjeç, banues në Tiranë
Ilir Arapi, 45 vjeç, banues në Tiranë
Erjon Jaupllari, 22 vjeç, banues në Tiranë
Etleva Minxhozi, 44 vjeç, banues në Tiranë
Elizabeta Bengasi, 26 vjeçe, nga Gramshi, banuese në Kombinat
Flora Nikaj, 33 vjeçe, banuese në lagjen Laprakë të Tiranës