E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë-Milot, çdo 500 metra një lapidar

AKSIDENTET/ Në 13 kilometra të aksit Lezhë-Milot janë 26 lapidare që përkujtojnë persona të vdekur në aksidente

Vetëm në urën mbi lumin Mat në Milot ndodhen 9 lapidare, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në kryqëzime


LEZHË - Superstrada Lezhë-Tiranë shtrihet në hartën e rrugëve problematike të pagëzuara si "njolla të zeza", për sa i përket ndodhjes së aksidenteve automobilistike. Aksi më i rrezikshëm është Lezhë-Milot, ku çdo ditë shënohet një aksident, shpeshherë me pasoja fatale. Për një fakt të tillë dëshmojnë edhe "lapidarët" e ngritur në të dyja anët e rrugës. Gjatë një vëzhgimi të bërë në "rrugën e vdekjes" konstatohet se në segmentin jo më të gjatë se 13 kilometra ndodhen 26 lapidare. Sipas një përllogaritjeje, i bie që në çdo 1 km rrugë, të kenë vdekur 2 vetë.


Lapidarë mermeri të mbuluar nga të dyja anët me lule artificiale në çdo 500 metër linear rrugë. Vetëm në urën mbi lumin Mat në Milot ndodhen 9 lapidare, ndërsa pjesa tjetër ndodhen kryesisht në kryqëzimet Ishull Shëngjin, Ishull Lezhë, Rrilë dhe Shënkoll.


Në këto kryqëzime shënohet numri më i lartë i aksidenteve automobilistike me pasoja fatale, ku aksidenti më tragjik ishte ai i 19 qershorit të 2009, në kryqëzimin e Shënkollit, ku gjetën vdekjen 4 shtetas: 2 italianë dhe 2 shqiptarë.


Duket se ka ikur paksa mania për të ngritur "lapidarë" në vendin ku të ndjerët janë aksidentuar me automjete dhe, sikur të ishte kështu, e gjithë superstrada Lezhë-Milot do të ishte mbushur me lapidarë përkujtimore.


Ky aks është një prej më të rrezikshmëve në të gjithë vendin e në këto pak vjet që është ndërtuar, ka marrë shumë jetë njerëzish, saqë në çdo 100 metra rrugë mund të kishte një lapidar dhe jo një në 500 metra, pasi për shumë viktima nuk janë ngritur lapidarët me lulet artificiale.


Ndërkohë, sipas treguesve, gjatë vitit 2009 në Shqipëri pati rreth 1465 aksidente rrugore nga ku gjetën vdekjen rreth 491 qytetarë. Sipas vlerësimeve, 35-40 % e viktimave kanë qenë këmbësorët.


Sipas statistikave të Komitetit të Sigurisë në Rrugë, vetëm gjatë një viti, si pasojë e aksidenteve në rrugë kanë humbur jetën mbi 300 persona dhe rreth 1200 janë të plagosur, prej të cilëve 350 me dëmtime serioze për jetën.


Sipas të dhënave mbi aksidentet e ndodhura këto 5 vitet e fundit, rezulton që në vendin tonë numri mesatar i aksidenteve me vdekje është rreth 1,8 herë më i lartë se në vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Sipas Ministrisë së Punëve Publike 78.8 % e aksidenteve me vdekje janë për shkelje të rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve, 19 % për shkelje të rregullave të qarkullimit nga këmbësorët dhe 2.3 % për të meta teknike të mjeteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›