E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri gra nga e kaluara

Fatkeqe dhe me hijen e komunizmit nga pas. Tri tipe grash në romanin e parë të Lindita Arapit. Një bisedë me autoren edhe për anët e vakëta të romanit: gjuha, ritmi, historia


Romani "Vajzat me çelës në qafë" i pari i autores Lindita Arapi, nuk hyn tek ajo lloj letërsie që të thërret dhe të gozhdon. Lexuesi paralajmërohet se po hyn në një rrjedhë të ngadaltë të ngjarjeve, në përshkrime të gjata dhe të detajuara, dhënë me një gjuhë të ftohtë.


Autorja e ngjeu penën për të shkruar për të shkuarën, regjimin komunist, dhe për gruan që vuan fatalitetin, gruan e përjashtuar, të ndrydhur, me biografi të keqe, armiken e popullit, të persekutuarën.


Janë tri histori femrash që bëjnë të shkuarën komuniste, Lodja Lemani nga qyteti D., e ëma e saj, Drita Lemani, dhe gjyshja nga i ati, Fatimja. Të tria të lidhura prej fatit të keq. E para, e përulur ndaj burrave, e burgosur në tutelën e të parit të shtëpisë, ka fatin më tragjik. Njëherë kur provoi të ngrejë zërin dhe të mos pranojë të bëhet shërbëtore e burrit të radhës që i jepte i ungji, e poshtëruan.


Fatimja largohet një natë nga shtëpia, pa nam e nishan dhe kthehet në hije, që u del natën burrave dhe grave në varrezat e fshatit.
Dritës i vete filli ndryshe. Ajo është gruaja e rregullt, nikoqire, e ftohtë, që nuk i qesh buza.


Një fat i shkruar edhe për Lodjen, personazhi kryesor i romanit, të cilës i del për detyrë t'i presë udhën vuajtjeve dhe trishtimit të së shkuarës, të ndryshojë rrjedhën e fatit edhe për femrat e tjera të familjes së Lemanëve, kridhet më keq në një vetmi, larg vendlindjes, në Perëndim.


Por Arapi nuk e lë të fundoset. Autorja e prezantoi dje romanin "Vajzat me çelës në qafë" përpara medias, kolegëve, dashamirësve të letërsisë.


Në këtë bisedë ajo është pyetur për anët e vakëta të romanit, për gjuhën e distancuar, ritmin, dinamikën, të rejat që nuk sjell ky botim për letërsinë homazh njerëzve të së shkuarës nën komunizëm.


Arapi është prezantuar në letërsinë shqipe që në vitin 1993, me përmbledhjen me poezi "Kufomë lulesh", "Ndodhi në shpirt" (1996), "Melodi të heshtjes" (1999), "Shenjat e dorës" (2006).


Në gjuhë të huaj është prezantuar me "Grenzverkehr Literarische Streifzüge Ost-West" (ese me bashkautor, 2004), "Wie Albanien albanisch wurde" (Studim, 2005), "Am Meer nachts, poezi, 2007", "Balkan Beauty, Balkan Blood" (antologji, 2008).


Ka përkthyer nga gjermanishtja në shqip "Fjala dhe koburja"(2005), "Net Shqiptare" (2005) dhe disa autorë gjermanë të shek. XX.
Jeton në Gjermani, punon gazetare në redaksinë shqipe të Deutsche Welle-s.


Lindita, romani "Vajzat me çelës në qafë" i bën homazh një modeli femëror të kohës së komunizmit. Ndërsa brenda keni kushtimin: Fionës dhe Phyllis-it.


Cilat janë ato?


Fiona dhe Phyllis janë dy vajzat e mia, njëra është shtatë vjeçe dhe tjetra 1. Ato janë vajza të socializuara me gjuhën dhe kulturën gjermane, dijnë shqip. Babanë e kanë gjerman. Është e rëndësishme që këtë libër t'ua japë në dorë, një ditë kur të rriten. Një mënyrë për t'u njohur me botën shqiptare.


Çfarë ka autobiografike vepra?


Romani ka elementë autobiografikë që janë letrarizuar, duke iu larguar autobiografisë. Nuk kam dashur të bëj një roman autobiografik, por kur shkruake kujtime, ke elemente të cilat edhe mund t'i kishe përjetuar, të cilat i merr si burime ushqyese për tekstin tënd. Duke kaluar përmes filtrit letrar ato largohen.

Me cilën prej tri femrave të kësaj historie ke më shumë afri?


Është ajo vajza e mbarë dhe e dëgjueshme, e bindur ndaj prindërve dhe ndaj çdo gjëje. Atë rrugë e kam kaluar edhe unë. Ky është një kujtim i fëmijërisë sime.


Duket sikur rrëfimi është një nevojë për t'u çliruar ti vetë fillimisht nga e shkuara?


Sigurisht që po. Për mua ishte e rëndësishme të kuptoja vetë përmes letërsisë çfarë ka ndodhur në atë kohë. Në këtë mënyrë ta zbërtheja dhe ta kuptoja atë kohë edhe për veten time.


Figura femërore në komunizëm, nuk është lënë mënjanë, por është parë tek-tuk këto njëzet vjet edhe në arte të tjera: kinema, arte pamor, teatër. Ti vetë ç'mendon se ke sjellë të re dhe në ç'formë?


Unë e di që ballafaqimi me të shkuarën është bërë përmes artit, që ka një korpus veprash arti. Kjo nuk do të thotë të mos merresh me një temë të tillë. Letërsia nuk ka kufizime.


Shkrimtarja Herta Muller, fituesja e çmimit Nobel, temën e së shkuarës komuniste trajton në të gjithë korpusin e saj letrar. Megjithëse jeton prej vitit 1987 në Gjermani, nuk ka shkruar për gjë tjetër.


Të reja? Unë nuk pretendoj që duhet të sjell të reja. Nëse arrij me romanin të zgjoj vëmendjen dhe të mbaj një lexues për një kohë të caktuar, për të reflektuar mbi një kohë, atëherë për mua ky është element pozitiv. Nuk pretendoj se sjell të reja. Të rejat e kësaj bote kanë mbaruar shumë herët.


Duket sikur fillimi i romanit që i takon fëmijërisë së Lodjas, lëkundet në një ritëm të ngadaltë. Më vonë, me ngjarjen tragjike të gjyshes dhe nënës së saj, ndihet një atmosferë më e gjallë.


Sigurisht është e vështirë të punosh me një tekst të tillë dhe nuk është e lehtë t'i mbash të gjitha personazhet në një ritëm. Do të ishte e pabesueshme nëse unë do të thosha romani ka një ritëm gjithë kohës. Sigurisht ritmi bie dhe ndoshta ngrihet në një moment të caktuar. Por është njëlloj si realiteti, i cili ka oshilacionet e veta. Nuk mund ta shoh si një element që e rrëzon tekstin. Kam ndjekur vetëm ritmin e të rrëfyerit dhe lëvizjen e personazheve.


Ndërsa koha në roman ecën, bie regjimi komunist, vjen ndryshimi, nga e shkuara kanë mbetur vetëm rrënojat, Lodjen e shohim të ndryshojë pak. Më shumë është në pritje, duket sikur biografinë e saj e kanë vulosur të tjetër. Përse i jep këtë zgjidhje personazhit?


Për mua ai është personazh tipik i një vajze të traumatizuar të viteve '80. Duhet të kujtojmë këtu se bëhet fjalë për një vajzë e cila vuan pasojat politike të familjes së saj.


Unë e pyeta veten çfarë ka ndodhur me këtë brez vajzash që përjetoi një gjë të tillë. Ajo i përket realitetit të kësaj pjese të shoqërisë shqiptare të viteve '80. Ka edhe një anë tjetër. Është ajo e elitës që gëzoi shumë të mira dhe privilegje.


Shohim një raport të ftohtë me personazhet, të kursyer në shprehjen e përjetimeve, emocioneve.


Ndoshta ka qenë arsyeja e ndikimit edhe nga bota gjermane, që është shume koncize, shumë e ftohtë, e qetë.


Ruhet një marrëdhënie e ftohtë sepse vetë ngjarjet janë të rënda. Janë dhënë me gjuhë të ftohtë dhe të drejtpërdrejtë për të mos e emocionalizuar. Ngjarjet në vetvete e përmbajnë peshën.


Nëse do ta rishkruanit "Vajzat me çelës në qafë" çfarë do të linit jashtë?


Ky është një tekst i madh dhe sigurisht është i vështirë për t'u menaxhuar. Me një tekst të dytë do të dija të punoja ndryshe qysh në krye të herës. Do të punoja shumë e strukturuar që në fillim. Romani është bërë dy herë. Në fillim ishte një tekst shumë i madh, shumë i gjatë. Në tekstin e dytë u hoqën pjesë të tëra. U kthjelluan figurat.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›