Vjelja e te ardhurave lidhet me drejtesine sociale

Konslutimet e trojkës me autoritetet greke po vazhdojnë, me objektiv arritjen e marëveshjes në nivel teknik, deklaroi të hënën zëdhënësi i komisionerit për financat, Olli Rehn, i cili theksoi se nuk është akoma në gjende të përcaktojë se kur do të finalizohen konsultimet në fjalë. Ai ka sqaruar se nuk ka një kohë specifike për kompletimin e shqyrtimeve mes trojkës dhe qeverisë greke. BE mbetet në lidhje të ngushta me autoritetet helene ndërkohë që po vijon puna për marrëveshjen. Më tej, i ftuar që të komentojë zhvillimet në Greqi, lidhur me publikimin nga një revistë të “listës Lagarde”, zëdhënësi Simon O’Connor tha se nuk është në dijeni të detajeve të çështjes dhe se në çdo rast është kompetencë e autoriteteve greke të veprojnë, me respekt në principet e shtetit të së drejtës. Gjithsesi, ai theksoi nevojën e intensifikimit të përpjekjeve për luftimin e evazionit fiskal dhe nënvizoi se vjelja në mënyrë eficente e të ardhurave tatimore është çështje e drejtësisë sociale, sidomos në një periudhë si e sotmja, kur shumë qytetarë grekë po bëjnë sakrifica të mëdha, me synim rehabilitimin e normalitetit të financave publike. Ndërkohë që nga Berlini zëdhënësi i qeverisë Merkel ka sqaruar se Gjermania nuk e pranon reduktimin e borxhit publik grek sikurse kishte shkruar Der Spiegel mbi një propozim të mundshëm të arritur nga trojka javën e kaluar për një program europian mbi reduktimin e borxhit grek. Këtë hipotezë nuk e marrim në konsideratë ka thënë zëdhënësi duke shtuar se ulja e borxhit bie në kundërshtim me ligjet gjermane mbi buxhetin. I pyetur mbi një program të tretë të ndihmave për Athinën, zëdhënësi i Merkel është përgjigjur se është ende në fuqi programi i dytë.