Ukraine Klicko hyn ne parlament
Ai quhet Doktori me grusht të hekurt. Kjo sepse ka fituar pa mbarim tituj të peshave të rënda në boks si dhe ka mbrojtur doktoraturën në shkencën sportive.
Por, Vitali Kliçko nuk ka ndërmend të ndalet me kaq, pasi partia që ai udhëheq mori pjesë dhe doli e treta në zgjedhjet parlamentare në Ukrainë.
Shtatlarti 41-vjeçar është ende kampion në fuqi i federatës ËBC dhe shpreson të bëhet edhe kampioni i demokracisë ukrainase pasi po udhëheq një parti të quajtur UDAR dhe që ka në bazë të saj filozofinë politike perëndimore.
Rezultati i arritur nga UDAR tronditi dhe i dha formë të re mozaikut politik në republikën e trazuar ish-sovjetike ku një ish-kryeministre si Julia Timoshenko ndodhet në burg me akuza për korrupsion.
“Ne duket se jemi në vendin e tretë në zgjedhje, sipas rezultateve që po dalin, - u shpreh Kliçko për gazetarët, - ky nuk është rezultat i keq për një parti të re dhe mendoj se ne do ta shfrytëzojmë këtë rezultat si dhe do të provojmë gjatë punës sonë në parlament se jemi profesionistë dhe të besueshëm”.
Duke vlerësuar atë që ka bërë partia e tij, Kliçko shtoi se “në vetëm pak muaj një parti e udhëhequr nga një kampion sporti i ktheu buzëqeshjen ukrainasve, diçka që këto kohë ishte zhdukur tërësisht”.
Duket se rezultatin më të mirë në zgjedhje e ka arritur partia në pushtet e presidentit Viktor Janukoviç, por jo me epërsi të madhe, ndërsa UDAR si dhe partia nacionaliste ukrainase do të jenë konkurruese të forta.
Parashikohet që Kliçko të jetë një rival i madh për Janukoviçin për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2015.
Boksieri ka fituar me nokaut 41 nga 45 sukseset e tij, ndërsa ka vetëm 2 humbje, por për shkak dëmtimesh, madje duke udhëhequr me pikë në ato ndeshje.