Meidani: Rikandidimi i Ramës është një gabim
Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste i është bashkuar edhe ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani. Edhe ai, ashtu si themeluesit e kësaj lëvizjeje, vlerëson nevojën që ka Partia Socialiste për të ndryshuar frymën vendimmarrëse dhe drejtuese të saj.
I pranishëm dje në takimin e parë promovues të kësaj lëvizje, ai është shprehur për mediat se PS-ja ka nevojë për një revolucion të brendshëm, për zhvillimin e kolegjialitetit brenda saj dhe për të lejuar, siç e quan ai, zhvillimin e solidaritetit në diversitet.
Në pozitat e një kritiku ndaj kryetarit aktual të PS-së, ish-Presidenti e konsideron rikandidimin e Ramës si të gabuar dhe që nuk i shërben kësaj force. "Natyrisht që në përputhje me statutin e partisë, kandidimi i zotit Rama është një gabim që e dëmton autoritetin e kandidatit për kryetar, por dhe potencialisht funksionimit të një kryetari të tillë", - u shpreh Meidani për mediat.
Duke iu përmbajtur frymës së kësaj lëvizjeje të re politike, Meidani është shprehur kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e grupit kuvendor socialist. "Natyrisht që kemi përvojë nga teknologjitë e bojkotit, bojkoti dëmton jetën brenda partisë, në mënyrë të veçantë jetën parlamentare, reagimin parlamentar të një partie politike.
Unë besoj dhe shpresoj që shumë shpejt Partia Socialiste të kuptojë që nuk mund t'i rezistojë bojkotit parlamentar se do të dëmtojë jetën e saj, do të dëmtojë strukturat e saj, do të dëmtojë të ardhmen e saj dhe në mënyrë të veçantë të ardhmen e vendit", - theksoi ish-Presidentit, duke evidentuar gjithashtu faktin se rekomandimet që ai i dorëzoi Ramës para fushatës, ky i fundit nuk i ktheu dot në një program elektoral dhe qeverisës.