E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO ose privatizim me mashtrim

Ka një tendencë të qeveritarëve të sotëm që të justifikojnë praktikat korruptive me "patriotizëm" apo me interesat e "popullit". Kështu ndodhi me skandalin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe kështu po ndodh edhe me atë që mund të cilësohet skandali i privatizimit të kompanisë publike të naftës ARMO. Por as deklarimet populiste të Kryeministrit Berisha për "mbrojtjen e prodhimit vendas" as ato të ministrit të tij Ruli që "merakoset" për 6500 punëtorët e sektorit të naftës, nuk e fshehin dot dhunimin që vendimi i fundit i qeverisë për lejimin edhe një vit të tregtimit të naftës D2, i ka bërë parimit të barazisë në tenderimin e ARMO-s. Dhe aty ku nuk ka barazi konkurrence ka privilegjim. Dhe aty ku ka privilegjim, aty duhet kërkuar korrupsioni qeveritar.

***

Duket është duhma e korrupsionit që do të ndotë më shumë mjedisin shqiptar sesa squfuri i D2-shit të prodhuar nga ARMO. Dhe ja sepse: Në maj të vitit 2008, qeveria "Berisha" hapi ofertat për tenderin e privatizmit të ARMO ku ishin ftuar investitorë vendas dhe të huaj. Ndërkohë, ishte bërë publik edhe një vendim i qeverisë, i marsit 2007, që shpallte ndalimin në tregun shqiptar (duke filluar nga 1 janari 2009) të përdorimit të naftës D2 për automjete dhe gjeneratorë. Një vendim i tillë ka qenë pa koment, shumë i rëndësishëm në formulimin e ofertave për pjesëmarrësit në privatizimin e ARMO-s. Tjetër ofertë bëhet kur produkti i objektit që privatizohet është i shitshëm në treg (pra që mund të kthejë shumë shpejt një pjesë të parave të shpenzuara për blerjen e tij) dhe tjetër ofertë (kuptohet shumë më e vogël) bëhet për një objekt produkti i të cilit është i ndaluar me vendim qeverie të tregtohet. Kompanitë, konkurruese në privatizim, duhet të bënin llogari që nëse fitonin të drejtën e blerjes, duhet të investonin për përmirësimin e teknologjisë së përpunimit të naftës, për të dalë më pas në treg me një gazoil që ndryshe nga D2-shi, përmbush më mirë kërkesat për ruajtjen e mjedisit.

Eshtë e kuptueshme se këta konkurrentë do ishin të gatshëm të investonim miliona euro apo dollarë më shumë, nëse do ta kishin ditur se në prag të firmosjes së kontratës e me fituesin e shpallur të tenderit për privatizimin e ARMO, qeveria "Berisha" do të merrte një tjetër vendim që, ndryshe nga ai i vitit 2007, lejon përdorimin e D2-it të prodhuar po nga ARMO. Padia e të gjithë konkurrentëve mbi një ndryshim të pritshëm të vendimit të qeverisë lidhur me D2-shin, do të fliste gjithsesi për barazi. Por kush siguron se informacioni nuk ka rrjedhur diku? Kush siguron se kompania fituese e tenderit, nuk ka pasur dijeni për një ndryshim radikal të rrethanave ekonomike të ARMO-s pas privatizimit? Të gjitha kompanitë, vendase apo të huaja, konkurruese në tenderin për privatizimin e ARMO-s, nuk kanë sesi të mos ndihen të mashtruara nga qeveria shqiptare.

***

Vendimi i vonuar i qeverisë "Berisha", që ndryshon një vendim më të hershëm, gjithashtu të qeverisë "Berisha" për ndalimin e gazoilit D2 në tregun shqiptar, ka hedhur hije të mëdha dyshimi për kapjen e gjithë procesit të tenderimit të ARMO-s. Nëse legjitimohet një praktikë e tillë, atëherë çdo qeveri mund të përkeqësojë artificialisht situatën e një objekti në privatizim dhe më pas, ta përmirësojë atë duke lënë kështu shtigje të hapura për shkatërrim të barazisë së konkurrimit, privilegjim dhe diskriminim të subjekteve konkurruese, si dhe korrupsion. Është e vërtetë se, sikundër thotë edhe ministri Ruli, ta bllokoje përdorimin e D2-shit nga 1 janari, "do të thotë të bllokojë të gjithë sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, që sot punëson 6500 punëtorë".

Por mos vallë kjo është një e vërtetë që ministri e zbuloi vetëm pasi u privatizua ARMO? Dhe kush na siguron se pas një viti nuk do të kemi një vendim tjetër qeverie që po për interesat e "prodhimit vendas" dhe "popullit" nuk do ta shtynte përsëri ndalimin e gazoilit D2 edhe për më tej? Gjithsesi, edhe nëse e pranojmë se Berishës apo Rulit u ndizen me vonesë llambat e inteligjencës apo "interesit publik", ka mjaft mënyra të tjera që edhe punëtorët e prodhimit vendas të mbrohen, edhe privatizimi i ARMO-s të mos komprometohej.

Mjaftonte që qeveria bashkë me vendimin e saj për lejimin e D2-it, të anulonte edhe procesin e privatizimit të ARMO-s. Aq më tepër që kontrata me fituesin e shpallur (Taçi Oil) nuk ishte firmosur akoma. Qeveria pra, i kishte të gjitha mundësitë të organizonte një tjetër proces privatizimi për ARMO-n ku të gjithë pjesëmarrësit në tender, do ta dinin se D2-shi i ARMOS do të vazhdojë të tregtohet edhe në 2009-ën dhe për rrjedhojë, do të bënin ofertat për blerje të ARMO-s mbi këtë rrethanë ekonomike. Pas kësaj, pa dyshim që jo vetëm më shumë miliona do të derdheshin në buxhet, por edhe duhmës së squfurit në atmosferë do t‘i shtohej më pak nga duhma e një korrupsioni që po na mbyt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›